Ndryshimi në futbollin shqiptar është i dukshëm dhe këtë e konfirmon edhe një ish-futbollist hungarez, i cili dy dekada më parë prekte nga afër realitetin sportiv në vendin tonë. Në prag të sfidës vendimtare Hungari-Shqipëri, Jozsef Dzurjak zbulon më tepër për mediat hungareze rreth futbollit shqiptar. Në sezonin 2000/2001, Dzurjak ka mbajtur postin e ndihmës trajnerit në klubin e Tiranës, nga ku ka njohur nga afër mentalitet tonë.
Sipas ish-sulmuesit, Shqipëria ka ndryshuar shumë në aspektin futbollistik dhe këtu ndikon edhe afërsua e lidhja e ngushtë me Italinë fqinje. Dzurjak nxjerr në pah edhe diferencat mes të rinjve hungarezë dhe atyre shqiptarë, të cilët në këndvështrimin e tij janë tejet të motivuar dhe kërkojnë më shumë nga vetja.
“Futbolli shqiptar ka pësuar një zhvillim të rëndësishëm që kur kam punuar 20 vjet më parë. Për shkak të afërsisë së Italisë, fëmijët rriten në kampionatin italian. Ata shohin një mundësi serioze për të kërcyer në futboll. Ata luanin shumë edhe kur kushtet ishin shumë më të këqija se sa janë sot. Tek ne, ndoshta të rinjtë tashmë janë shumë të përkëdhelur dhe shumë janë të kënaqur me një nivel të caktuar. Fëmijët shqiptarë janë shumë të motivuar, ata duan më shumë, shpresojnë në një përmirësim të ndjeshëm të standardeve të jetesës nga futbolli”, ka thënë Jozsef Dzurjak./Sport Ekspres/