Shqipëria do të luajë në ditën e sotme kundër Kazakistanit, atje ku fitorja është detyrim për kuqezinjtë. Kombëtarja ka në përbërje lojtarë të nivelit të lartë në krahasim me Kombëtaret e tjera në grup, futbollistë që kushtojnë shumë në treg, të cilët në letër e bëjnë lehtësisht diferencën ndaj kundërshtarit.
Tanimë është momenti që fusha të flas për kuqezinjtë që kërkojnë fitoren në këto dy takime të fundit në “Ligën e Kombeve”. Ndërkohë përpara ndeshjes me Kazakistanin, media “Sports.Kz” ka kërkuar mendimin e ish-lojtarit të Kombëtares, Pavel Yevtev, për të bërë një parashikim mbi ndeshjen. Aktualisht një trajner i njohur dhe dikur futbollist i Kazakistanit, Yevtev e di më së miri se Shqipëria do të fitojë nëse është në ditën e saj.
“Do të jetë shumë e vështirë kjo ndeshje. Megjithëse luhet pa tifozë, shqiptarët do të luajnë në shtëpinë e tyre dhe janë disi në avantazh. Nëse do të jenë në humorin e duhur për të fituar, mendoj se shqiptarët do të kalojnë me sukses. E çfarë duhet të bëjmë për t’ia dalë ne? Pikësëpari, mos të shpërdorojmë raste.
Kur të krijohen momentet duhet që të realizojmë. Në ndeshjen e fundit miqësore ne treguam se mund të krijojmë mundësi. Me rëndësi është që të futemi pa frikë në fushë. Ekipet nuk janë shumë të ndryshme, të dyja mund të fitojnë. Shanset janë aty, nuk mund të them se do të humbi Kazakistani me 100%, por 50 me 50. Kombëtarja që do të jetë më efikase në shanset e krijuara ka për të fituar takimin”, tha Yevtev. /Sport Ekspres/