Shkruan Klodiana Bufi
Shqiptari se ka zakon të bëhet gati për dasëm e ta lërë në mes, ashtu siç ndodhi 48 orë më parë me djemtë e Kombëtares. Përballja me Ishujt Faroe na tregoi dhe njëherë që nuk dimë të menaxhojmë siç duhet emocionet. Nuk jemi të qartë kur duhet të gëzohemi e kur duhet te qajmë. E thënë troç, nuk dimë të festojmë dhe mbi te gjitha nuk dimë të jemi mirënjohës. Mbushëm një stadium të tërë për të falenderuar dhe festuar ashtu siç duhej ekipin e zemrës, ekipin që na nderoi dhe na dha edhe një herë mundësinë të jemi në arenën e madhe europiane, por në momentin e tortës të gjithë e braktisëm.
Ndryshe nga ajo “torta e famshme e Pavarësisë” që e shqyem, këtë nuk pritëm as ta shikonim sepse ishte tortë pa gol. Ogurin e mirë nuk e dhamë dhe u mërzitëm sepse ata morën një pikë, e nuk i përmbushën pritshmëritë tona që ishin aq të mëdha sa harruam pse shkuam ne stadium. “Fajin e ka Sylvinjo që nuk shënuam”, dëgjova dikë që zbriste shkallët e stadiumit dhe po të njëjtën frazë e dëgjova edhe në televizor nga kolegët e mi. Sylvinjo thashë me vete, të erdhi radha të futesh në gojën e hienave që të ngritën ne qiell kur fitove me Poloninë dhe Cekinë, dhe tani të kanë vënë në bankën e të akuzuarve.
Shqiptarët janë të etur për gola Sylvinjo sepse në të kaluarën nuk kanë lënë ndeshje pa e mbyllur me golavarazh te frikshëm. Madje kanë filluar të krahasojnë edhe me De Biasin, i cili ndryshe nga ti, futbollistin më të mirë në fushë dhe që i dha kualifikimin, kishte Ballist Morina. Sylvinjo akuzat ndaj teje që more dy barazime në eleminatore dhe një Zot e di si e mbylle në vendin e parë janë: “Si nuk e more Brojën në këto dy takime dhe pse nuk i shkurtove pak ata kundërshtarët se ishin shumë të gjatë”. Ishte një barazim të nderuar tifozë e të nderuar kolegë, nuk ishte humbje nuk ishte eleminim.
Nuk e meritonte ky ekip të braktisej në fund, pikërisht në momentin kur duhet tu tregonim mirënjohjen tonë. Ceremonia që pashë ishte një skandal, arrija ta kuptoja edhe nga sytë e Cikalleshit i cili rrotullohej të shihte stadiumin bosh. Atmosfera para ndeshjes më bëri krenare, sa shumë mbështetës ka kjo Kombëtare thashë me vete e sa mirë do ndihen këta djem kur te dridhet gjithë stadiumi nga brohoritjet e tyre. Në fakt më shumë u duartrokit Juliana Pasha se sa Jasir Asani i cili çuditi edhe UEFA-n me ekzekutimet e tij. Pashë një moment Strakoshën qe u kthye të shihte pas portës së tij se çfare po ndodhte. Patriotët po largoheshin. Ata që kënduan këngën e “legjendarit” po iknin sepse Asllani nuk shënoi, por harruan që kishte shënuar në takimin e parë me Ishujt Faroe.
Sylvinjo qeshte me sy sepse priste të shikonte atë bujarinë e madhe që kishte dëgjuar për shqiptarët. Kur doli në podium e foli me gjuhen e “patriotëve” mori një brohoritje të madhe nga moderatorët e ceremonisë. Sa keq për një ekip që nga “uno kryqezimo e duo kryqezimo” na çuan në Gjermani, ashtu me klasin e tyre. E çfarë na bëre more Sylvinjo! Cfarë na duhet Europiani! Fol me Dukën e organizo ndonjë miqesore ose me Greqinë ose me Serbinë dhe mundësisht fito, se aty nuk ka burrë qe na mban neve.
Aty tregohet patriotizmi, jo me Ishujt Faroe. Megjithatë mos u mërzit se kur të vinë ato ditët e tua në Euro 2024 do dëgjosh çudira te tjera. Po fitove ndonjë ndeshje ditë e natë do flitet për ty, e po humbe do të tregojnë sa shumë gabime ke. Se në Shqiperinë tonë prej 2.8 milionë banoresh, dy milionë janë specialista futbolli. Ndjesë që po të tregoj kaq shumë gjëra mbi patriotizmin tonë të flaktë, që nuk besoj ta kesh parë as në Brazil. Nuk besoj të kesh parë entuziazëm aq të madh sa ai i mbylljes se eleminatoreve, që edhe pse u kualifikove me nder, shqiptarët të kthyen shpinën. Këta jemi ne. Të duam vetëm po fitove ose në këtë rast vetëm po shënove. Në bëfsh të kundërtën patriotët e mëdhenj kthehen ne specialista e të çajnë “daullen”. Nejse ky është fillimi zotëri. Do mësohesh me këto gjëra e do shohësh sa shumë luahtje humori do kenë patriotët në vazhdimësi. Mbrëmja e 20 nëntorit duhet të ishte mbrëmja e dasmës së madhe për gjithë shqiptarët por rezultoi një ceremoni diplomimi fishekzjarresh vetëm nga ana e FSHF.