Ka përfunduar në stadiumin “Niko Dovana” ndeshje e parë e grupit 8, vlefshme për kualifikueset e Evropianit të 19-vjeçarëve, midis kombëtares së Shqipërisë dhe Ukrainës. Përfaqësuesja jonë, e cila drejtohet nga Erion Bogdani pësoi një disfatë me rezultatin e ngushtë, 1-0, por për mënyrën si shkoi loja mund të thuhet se ishin të pafat, pasi janë ndëshkuar në limitet e ndeshjes.
Goli erdhi vetëm 5 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, me futbollistin Mudrik, i cili u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 70-të dhe vendosi fatin e këtij takimi. Ndeshja foli më shumë për 19-vjeçarët tanë, të cilët bënë një paraqitje të mirë, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan siç duhet.
Ndeshja e ardhshme për të besuarit e Bogdanit do të jetë pas 3 ditësh kundër Sllovakisë, e cila nga ana e saj e ka fituar ndeshjen e parë kundër Norvegjisë me rezultatin 2-1.