Shqipëria u njoh me rivalet e Botërorit, trajneri Grima: Nuk kishim fat! Rritje e madhe e Kombëtares, të jemi lokomotiva

Kombëtarja shqiptare e femrave është njohur tashmë me kundërshtarët e saj për kualifikueset e kampionatit Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Shorti e vendosi Shqipërinë në Grupin F të fazës eliminatore përballë Norvegjisë, Belgjikës, Polonisë, Kosovës dhe Armenisë.  Pas shortit trajneri i Kombëtares së femrave, Armir Grima, dha edhe impresionet e tij të para për rivalët e Shqipërisë, ndërsa premtoi se vajzat kuqezi po përgatiten të japin maksimumin për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë turne, që do të startojë në muajin shtator të këtij viti.

“Të them të drejtën nuk është se jam shumë i kënaqur me shortin, prisja mbase të kishim më shumë fat sa i përket rivalëve që do të kishim përballë në këto eliminatore. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të përpiqemi për të bërë maksimumin tonë dhe për të qenë sa më prestigjiozë në përfaqësimin tonë në këtë grup”, – tha Grima në prononcimin e tij për Fshf.org, duke shprehur bindjen se Kombëtarja shqiptare në këtë turne do të bëjë një paraqitje edhe më të mirë se në të kaluarën.

Tekniku kuqezi thotë se futbolli i femrave ka ardhur në rritje, falë edhe mbështetjes së madhe që po i jep Federata Shqiptare e Futbollit. Grima theksoi se Kombëtarja duhet të jetë lokomotiva që i paraprin zhvillimit të futbollit.   

“Të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, janë skuadra që pretendojnë të marrin pikë dhe unë besoj dhe jam i bindur që ne do të bëjmë një përfaqësim më të mirë se në eliminatoret e kaluara. Na pret një punë e madhe, na pret një punë shumë e vështirë në mënyrë që të përfaqësojmë me shumë sukses jo vetëm kombin tonë, por edhe futbollin e femrave, që po njeh vetëm rritje me punën e madhe që po bën Federata Shqiptare e Futbollit për ta zhvilluar sa më shumë futbollin e femrave. Kështu që ne duhet të jemi lokomotiva që do t’i paraprijë këtij zhvillimi”, – deklaroi trajneri i Kombëtares së femrave në prononcimin e tij.

Në fakt, bëhet fjalë për një moment historik të futbollit të femrave, pasi për herë të parë Shqipëria u ngjit në vazon e katërt, sipas klasifikimit të fundit të UEFA-s, ku renditet në vendin e 33-të, duke lënë pas shtete si Izraeli, Maqedonia e Veriut, Turqia Mali i Zi, etj.

Fushata eliminatore do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje, ku 9 vendet e para do të kualifikohen direkt, ndërsa dy vendet e mbetura do të kalojnë në fazën play-off, që do të zhvillohet në muajin tetor 2022. Së shpejti do të jetë gati edhe kalendari i ndeshjeve të vajzave kuqezi dhe datat kur do të luhen sfidat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *