Shqipëria U-21 ka zhvilluar sot ndeshjen e fundit në kualifikueset e Europianit, atje ku fitoi në shifrat 1-0 ndaj Armenisë. Kuqezinjtë e vegjël e përfundojnë grupin në vendin e 4-t me 16 pikë të grumbulluara. Një rekord pikësh ky, teksa ekipi kombëtar i 21-vjeçarëve nuk ka arritur të fitojë asnjëherë më parë një sasi të tillë pikësh.
Sa i përket ndeshjes së sotme, u vendos nga një autogol, ndërsa skuadra tregoi dy fytyra, me luhatje të madhe përgjatë lojës. Kjo edhe për shkak të mungesës së motivimit, pasi u mbyll gara e kualifikimit dhe kjo përballje i shërbente vetëm statistikave, megjithëse këtë herë ishin historike për ne.
Vështirësia rritej më tepër edhe për një mungesë të rëndësishme si ajo e Adrion Pajazitit, që ka pasur rolin e protagonistit te Shpresat. Por kush e ka marrë vendin e Pajazitit? Arlind Rexhepi, lojtari që spikati mbi të gjithë të tjerët sot kundër Armenisë, ishte pikërisht ky futbollist.
21-vjeçari është pjesë e Manheim që militon në ligën e 3 të Gjermanisë, por Rexhepi nuk luan si titullar as në këtë skuadër, madje në disa ndeshje nuk merr asnjë minutë aktivizimi. Tepër e çuditshme kjo pasi paraqitjet e tij me Shpresat kanë qenë gjithmonë në nivel të lartë.
Ashtu rezultoi edhe sot, teksa në krahun e majtë, Rexhepi ishte i papërmbajtshëm me driblimet e bëra, me shpejtësinë në krahë dhe shërbimet për shokët e skuadrës, thjeshtë më i miri. Mbetet të shihet sesi do të jetë vazhdimësia e këtij lojtari që duket se ka shumë klas në këmbë, por të çudit historia e tij në ekip.
Nga ana tjetër, Cristian Shpendi duket me “makthet” e të vëllait. Nëse ndeshja me Armeninë mund të quhet një provë para Kombëtares A, Cristiani tregoi se është ende herët për të diskutuar ftesën e Silvinjos. Në fakt, ky ka qenë edhe rasti i vëllait të tij, Stiven Shpendit. Pas një sezoni me lumë golash të shënuara, Stiveni do të kalonte te Empoli në Serinë A. Por pavarësisht se ishte pjesë e Serisë A, Stiveni nuk arrinte dot që të shënonte me Shpresat tona, duke mos bërë dot diferencën as me 21-vjeçarët.
Më pas Stiveni bëri një hap mbrapa në karrierë. Ndërkohë Cristiani zgjodhi të ngjiste hap pas hapi shkallët e karrierës, teksa pas super sezonit te Cesena, kaloi në Serinë B, pavarësisht ofertave nga Serie A. Por sa i përket Shpresave, duket e njëjta histori si me vëllain e tij, Stivenin. Pavarësisht se golavarazhi i Armenisë ishte 2:21 dhe mbante vendin e fundit në grup, Cristiani që po realizon jo pak gola në Serinë B, nuk arriti dot që të shënonte kundër Armenisë së U-21 vjeçarëve. Kjo tregon se është ende herët që të flitet për një kalim të tij te Kombëtarja A. /Sport Ekspres/