Shqipëria U-19 fiton kundër Tiranës, shihni se kush i ka realizuar golat

Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve ka zhvilluar ditën e mërkurë një ndeshje miqësore kundër 21 vjeçarëve të Tiranës.

Ndeshja e zhvilluar në ambientet e qendrës stërvitore Kamëz përfundoi në favor të kuqezinjve, të cilët fituan me rezultatin 2-1.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Armando Cungu zhvilloi një lojë mjaft të mirë, duke kaluar të parët në avantazh me një gol të shënuar nga sulmuesi Kurbasha, i cili aktivizohet në Suedi, që në pjesën e parë të takimit. Golin e dytë për kuqezinjtë e shënoi mesfushori i Tiranës, i ardhur nga stoli, Klevi Qefalija.

Tekniku kuqezi e nisi lojën me këtë formacion: Weiper, Greca,  Blacëri, Mani, Bytyqi, Nerguti, Kalaj, Bibo, Kurbasha, Shpulla, Fejzulla. Në pjesën e dytë, Cungu hodhi në fushë edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar.

Ditën e djeshme, trajneri Cungu ftoi në grumbullim edhe mesfushorin e Tiranës, Klevi Qefalija, pas largimit nga Kombëtarja të Marcelino Prekës, i cili u thirr në grumbullimin e Kombëtares U-21 nga trajneri Alban Bushi.

Kombëtarja U-19 ka zhvilluar disa teste të këtilla, që i shërbejnë Armando Cungu për të vlerësuar elementet në skuadër dhe për të testuar gjendjen e skuadrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *