Shqipëria do të luajë dy takime të rëndësishme në eliminatoret e Europianit, teksa fillimisht do të përballet ndaj Francës. Ndaj kampionëve të botës është më shumë se e vështirë që të dilet me pikë, por optimizmi dhe shanset mbeten gjithsesi.
Fillimisht për shkakun se te kundërshtari ka shumë mungesa, aqsa mund të thuhet se janë me gjysmën e ekipit dhe pa yjet e tyre. Dëmtimet e Laportes dhe Pogba, e dërguan në 9 numrin e mungesave totale që nuk do të jenë të gatshëm ndaj kuqezinjëve.
Por ndalemi pak te Kombëtarja e Shqipërisë. Nëse shohim me kujdes listën tonë, rezulton se futbollistët që drejtohen nga Reja janë si kurrë më parë në vitet e fundit. Ose më saktësisht, gjenden si në periudhën e artë kur u kualifikuam me De Biazin në Europianin e Francës. Thuajse të gjithë futbollistët tanë po luajnë në ekipet e tyre duke qënë më të mirët, ndërsa kjo kishte një kohë të gjatë që nuk ndodhte. /Sport Ekspres/
Etrit Berisha- Titullar i padiskutueshëm në Seria A. Më i miri i ekipit të SPAL-it dhe një nga portierët më të mirë të këtyre javëve në elitën e futbollit italian. Fantastik me pritjet.
Alban Hoxha- Luan në çdo ndeshje te Partizani, megjithëse te Kombëtarja do të jetë thjesht për të plotësuar listën duke parë dy portierët e tjerë.
Thomas Strakosha- Vazhdon të mbajë një formë të jashtëzakonshme te Lacio. Nuk ka diskutim për minutat e plota në ekipin e Inzagit.
Berat Gjimshiti- Pavarësisht emrave që sjell Atalanta në merkato dhe në prapavijë, Gjimshiti ka luajtur gjithmonë si titullar. Në nivelin e duhur dhe pak gabime në këtë sezon që sapo ka nisur.
Elseid Hysaj- Shumë pak minuta, ose më saktësisht vetëm 6 të tilla ndaj Romës. Janë realisht pak për t’u përmendur, por gjithsesi mbetet futbollisti që bën diferencën te Shqipëria.
Ardian Ismajli- I padiskututeshëm te Hajduku i Splitit dhe gjithmonë në formacionin më të mirë të javës në Kroaci.
Egzon Binaku- Vjen nga ekipi i Norrkopings pas 7 ndeshjeve të zhvilluara dhe si zëvendësues i Naser Alijit, që këtë herë nuk është grumbulluar për shkak se ka qënë pa skuadër. Firmosi së fundmi në Hungari.
Marash Kumbulla- Zbulimi i trajnerit të Veronës që i ka besuar gjithmonë 90 minuta në Seria A, duke e marrë nga të rinjtë.
Frederik Veseli- Titullar dhe luan gjithmonë 90 minuta te Empoli, megjithëse nuk flitet për nivelet më të larta.
Enea Mihaj- Asnjë minutë në ndeshjet zyrtare me PAOK, por ka luajtur në takimet parapërgatitore me kampionët e Greqisë.
Kastriot Dërmaku- Është në pankinën e Parmës. Ka luajtur disa minuta në miqësoret përgatitore ashtu si edhe Mihaj.
Mërgim Mavraj- Lider në mbrojtjen e Greuther Furth, nuk diskutohet minutazhi i plotë.
Amir Abrashi- Zhgënjimi për këtë nisje sezoni, ka përfunduar në stolin e Freiburgut.
Keidi Bare- E ka nisur me marrshin e pestë. Jo vetëm që luan 90 minuta në çdo ndeshje, por edhe më i miri i Malagas.
Ledian Memushaj- Vitet kalojnë, por për mesfushorin vlonjat mbeten një numër. Luan si titullar te Peskara dhe është vendimtar.
Klaus Gjasula- “Luftëtari” i ri u gjen në “Bundesligë”. Një ftesë mëse e merituar ndërsa po luan si titullar te Paderborni në çdo takim.
Kristi Qose- E vazhdon sezonin e ri në mënyrën e vjetër te Ruzemberok. Ka minuta të plota dhe luan gjithmonë si titullar.
Taulant Xhaka- Në momente të rralla mund të përfundojë në pankinë. Për Bazelin mbetet një futbollist i rëndësishëm dhe për më tepër është zevëndëskapiten.
Ylber Ramadani- Me skuadrën e Vejles është aktivizuar si titullar në ligën e parë të Danimarkës.
Ermir Lenjani- Vjen pas një super goli të realizuar me parabël dhe sprint të frikshëm. Një nga më të mirët e Sionit.
Myrto Uzuni- Një nga lojtarët më të mirë të Lokomotivës së Zagrebit. I padiskutueshëm edhe Uzuni.
Bekim Balaj- Vjen pas dopietës me Sturmin në Austri. Gëzon formë fantastike.
Sokol Çikalleshi- Pikëpyetja e madhe, ku gjendet Sokol Cikalleshi? Te Akhisaspori nuk është grumbulluar në asnjë ndeshje gjatë këtij kampionati. Nëse vjen qetësisht te Kombëtarja, ka dy rrugë: Akhisaspori e ka rregulluar problemin me të dhe do ta thërras në të ardhmen ose ka ardhur ndërprerja e kontratës dhe mund të firmosë kontratë të re në çdo kohë.
Odise Roshi- Mes stolit dhe vendit të titullarit, por Roshi fiton gjithmonë e më shumë vend te Akhmati.
Rey Manaj- Më shumë gjendet në stolin e Albacetes. Trajneri e provon zakonisht në pjesën e dytë.