Shqipëria ka arritur që të marrë fitoren në ndeshjen e parë miqësore të epokës “Panuçi”. Kuqezinjtë edhe pse me 10 lojtarë për afro 50 minuta kanë arritur të mundin vendasit me rezultatin 2-3 Turqinë e Luçeskut. Mund të konsiderohet si një ndeshje e çmendur, pasi Shqipëria e pa veten në avantazhin e dyfishtë falë realizimit të dy golave të “bomberit” Armando Sadikut, i cili u shërbye në të dy raste nga “raketa” Odise Roshi. Memushaj u ndëshkua në pak minuta me dy kartonë të verdhë duke lënë skuadrën në inferioritet numerik vetëm 4 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Turqit e nisën me gol që nga tuneli pjesën e dytë, teksa arritën që të ngushtonin me anë të Ynder vetëm dy minuta pas fillimit të fraksionit të dytë. Edhe pse me 10 lojtarë Eros Grezda mendoi që të qetësojë të tijtë, duke realizuar golin e parë si “shqiponjë”. Nuk merr fund këtu, pasi i sapofuturi Akbaba ngushton sërish diferencën. Kalimi i minutave shënoi raste për vendasit, por pa ndryshim rezultati. Shqipëria merr fitoren në transfertën Turke dhe sinjalizon për një epokë suksesi nën drejtimin e Kristian Panuçit.
E hënë, 18:30, miqësore
Turqi 2
Shqipëria 3
Shënues: Ynder 47′, Akbaba 60′ /Sadiku 24′, 39′, Grezda 55′
Turqia: Babaxhan, Aziz (Këjbashë 46′), Sëjynxhy, Jardëmxhë (Tufan 46′), Jukuslu, Çalhanoglu (Jusuf 75′), Ëzjakup, Turan (Demirok 46′), Ynder (Ynal 72′), Karaman (Akbaba 60′), Tosun.
Trajner: M. Luçesku
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Veseli, Mavraj, Lenjani (Ajeti 66′), Lilaj (Lila 86′), Roshi (Qaka 66′), Xhaka, Memushaj, Grezda (Ajdareviç 82′), Sadiku (Aliji 66′).
Trajner: K. Panuçi
Kartonë të verdhë: Aziz 41′, Tufan 78’, Sëjynxhy 90+2′, Tosun 90+3′ / Memushaj 32′, 41′
Karton i kuq: Memushaj 41′
GOLAT
24? – Aksion model i kuqezinjve. Roshi avancon deri pranë fundore në krahun e djathtë dhe pason për Sadikun në shtyllën e dytë që tërhiqet disi dhe godet me të parën, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë
39’ – I njëjti film e njëjta histori, aktorët janë të njëjtë dhe përfundimi gjithashtu, Roshi harkon sërish për Sadikun, me sulmuesin që këtë herë me kokë gjen golin e dytë.
47’ – Nis me gol pjesa e dytë. Një harkim nga e majta shkon te Ynder që shtyn topin drejt rrjetës, duke ngushtuar diferencën
55’ – Hysaj jep një top mjaft të bukur për Sadikun, i cili kontrollon siç duhet por humbet ekuilibrin. Grezda ndjek aksionin dhe me të majtën mposht portierin, duke gjetur golin e parë si kuqezi.
60’ – Një aksion perfekt i vendasve. Akbaba i sapo futur në fushë gjen mbështetjen e Tosun që mashtron portierin duke lënë topin pas, duke i krijuar mundësinë sulmuesit të gjejë golin e 2 për turqit.