Një humbje si ajo me Skocinë lë një shije të hidhur, aq sa vështirë se ata që ishin në “Loro Boriçi” do ta marrin mundimin që të udhëtojnë drejt Elbasani për të parë takimin me Uellsin, i programuar për t’u luajtur nesër në mbrëmje.
Luhet një miqësore, më shumë tashmë prej zorit, pasi vështirë se dhe lojtarët do të kenë atë motiv për të luajtur pa presion, ndonëse një ndeshje pa rëndësi. Në “Loro Boriçi” stadiumi ishte i mbushur gati i gjithi, megjithatë golat e pësuar një pas një bënë që para se të përfundonte e gjithë ndeshja, një pjesë e tifozëve të ishin larguar, të mbushur me shumë mërzi.
Ndaj Uellsit do të luhet në Elbasan, më afër Tiranës, ku është dhe pjesa më e madhe e popullsisë në vendin tonë, por vështirë tifozët do të marrin mundimin që të shkojnë në stadium. Humbja me Skocinë la pasoja më shumë se zbehja e shanseve për kualifikim, pasi kemi humbur lojtarin e 12-të, që ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës kuqezi.
Jo vetëm kaq, por nuk do të ishte çudi që “ligjin” ta bënte tifozeria mike, pasi federata e Uellsit ka porositur mbi 2300 bileta për ndeshjen e nesërme. Kapaciteti i “Elbasan Arenës” është më i vogël se “Loro Boriçi” dhe një numër kaq i lartë i tifozerisë mike dot bënte që për herë të parë të ndihemi në transfertë edhe pse luajmë në shtëpinë tona.