Dje u përhap lajmi se në nëntor Shqipëria do të luante një miqësore kundër Norvegjisë në Elbasan, por ka rezultuar një lajm i pavërtetë, pasi Norvegjia ka siguruar ndërkohë dy miqësore të tjera.
Ndërkaq, FSHF nuk kishte nxjerrë asnjë njoftim zyrtar, por sot ka ardhur lajmërimi nëpërmjet faqes zyrtare: në 13 nëntor do të përballemi me Turqinë.
Skuadra përfaqësuese e Shqipërisë do të luajë ndeshjen miqësore me ekipin kombëtar të Turqisë në Antalia, në datën 13 nëntor, duke mbushur kështu një nga datat e lira të lëna nga UEFA, gjatë ditëve të ndeshjeve play-off për një vend në Kupën e Botës.
Sipas njoftimit të FSHF-së, ishte kërkesë e trajnerit Kristian Panuçi që të luhej vetëm një miqësore muajin e ardhshëm. Shqipëria kthehet të luajë përsëri pas disa vitesh një miqësore me kombëtaren e Turqisë. Ballafaqimet zyrtare me Turqinë i përkasin vitit 2005, në eliminatoret për Kampionatin Botëror. Në ballafaqimet mes dy skuadrave, Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur 9 herë së bashku, me bilancin 3 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.