Shqipëria është vendi i Skënderbeut, Silvinjo: Po kuptojmë kontekstin kulturor dhe historik

Trajneri i ekipit Kombëtar, Sylvio Mendes Campos Júnior ka dhënë një intervistë për median spanjolle “Marca” duke folur për gjithçka, si nisi rrugëtimi i tij me Kombëtaren shqiptare, jeta në Tiranë dhe puna me stafin e tij.

Tekniku brazilian zbuloi se nuk ishte aspak e vështirë për t’i thënë “Po” ofertës nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe vlerësoi kushtet e mira të punës. Silvinjo tha se stadiumi “Air Albania” është i mrekullueshëm, ndërsa qendra sportive në “Shtëpinë e Futbollit” është e shkëlqyer.

Më poshtë intervista e dhënë për “median spanjolle “Marca”:

– Si përfundoi Silvinjo në Shqipëri?

– Gjithçka nisi me një darkë pune në Milano. Kuptova që oferta e punës ishte e mirë, në gjithçka. Më pas udhëtova drejt Tiranës dhe më pëlqeu shumë. Pastaj filluam të punonim si të çmendur. Deri vonë nuk isha në gjendje të zbuloja atë që më thoshin të gjithë: bukurinë e jugut të Shqipërisë.

– Nëse do të kishin thënë se një djalosh nga San Paolo do të punonte një ditë në Shqipëri…

– Këto janë gjëra që nuk mund t’i imagjinosh dot. Çdo gjë mund të ndodhë në jetën e dikujt që merret me futboll. Ti mund të nënshkruash një kontratë 5-vjeçare dhe ndodh që të largohesh që vitin e parë, ashtu siç mund të firmosësh për 1 vit dhe të qëndrosh për shumë vjet në një ekip. Është çmenduri, por ky është futbolli.

– Çfarë njohurish kishit për futbollin shqiptar kur i thatë “Po” ofertës së Kombëtares?

– Të them të drejtën nuk kisha shumë njohuri, por kuptova shumë shpejt që projekti ishte i mirë. Mbërrita në Tiranë dhe gjeta një kompleks të ri sportiv dhe një ambient shumë të mirë për të punuar. Struktura ishte e mirë, shumë lojtarë në Serinë A dhe në ligat Evropiane të nivelit më të lartë. Nuk kishte asnjë arsye për të thënë ‘jo’.

– Po për gjuhën?

– Gjuha shqipe është realisht e vështirë. Për fatin e mirë nuk kemi nevojë për përkthyes. Flasim italisht, spanjisht, anglisht dhe portugalisht, komunikimi me të gjithë lojtarët është i thjeshtë. Në përgjithësi flasim italisht dhe anglisht, pasi janë dy gjuhët që i njohin pjesa më e madhe e lojtarëve dhe stafit.

– Si është një ditë e jotja e punës?

– Jam gjatë gjithë kohës me Dorivën, i cili ka luajtur te Celta dhe Zabaletën. Pablo është më shumë mes Barcelonës dhe Tiranës. Ne punojmë si të çmendur. Shkojmë në Federatë dhe më pas në hotel për të parë ndeshjet. Sigurisht, ushqimi është shumë i mirë këtu. Në këtë mënyrë kemi punuar për 10 muaj, por jemi të lumtur. Nëse të pëlqen futbolli, kjo është jeta.

Keni dalë të parët në një grup ku kishit kundërshtarë si Polonia dhe Çekia…

– Të kualifikohesh për në finalet e Europianit është diçka shumë e bukur, por ne duhet të shikojmë më tej. Ne duam që kjo arritje të jetë diçka e zakonshme dhe pse jo, të shkojmë në finalet e Kupe Bote për herë të parë. Ka lojtarë të mirë, strukturë të mirë, dhe është një vend i dashuruar me futbollin. Ne do të testojmë forcën tonë pas suksesit që arritëm në një grup me kundërshtarë si Polonia dhe një ekip shumë të fortë dhe shumë të mirë si Çekia.

– Shqipëria është vendi i Skënderbeut, një vend luftëtarësh. E keni parë këtë te lojtarët tuaj?

– Sigurisht. Pak nga pak po kuptojmë kontekstin kulturor dhe historik dhe shohim që kanë diçka brenda që duhet ta tregojnë në fushë. Kemi një komunikim shumë të mirë me lojtarët, për të kuptuar futbollin shumë më tepër sesa thjesht teknikën dhe taktikën. Shpirti i tyre i garë ishte diçka shumë e mirë për ne.

– A e keni ndjerë perceptim e përgjithshëm të njerëzve, se Shqipëria nuk është më një “hirushe”, por një skuadër që mund të ndeshet si e barabartë me çdo lloj kundërshtari?

– Nuk e di nëse arrijmë deri aty sa të themi se mund të konkurrojmë me këdo. Jemi ende në gjysmë të rrugës. Kemi arritur të ndërtojmë një ekip të organizuar, që mbështetet te forca e grupit. Ne jemi të vetëdijshëm që diferenca me ekipet e mëdha është e konsiderueshme, por ne patjetër e shohim kënaqësinë e madhe për këto rezultatet edhe në fytyrat e njerëzve.

– Pas shortit, Zlatko Daliç ishte i trishtuar, Spalletti shumë serioz, De la Fuente i kujdesshëm, ndërsa Silvinjo kishte një buzëqeshje. Si e komentoni diçka të tillë?

– Secili prej tyre ka mënyrën e vet të të reaguarit. Për ne, të qenit në Europian është një ëndërr. Por ne duam gjithnjë e më shumë. Ne do të punojmë si të çmendur këto gjashtë muaj. Ne duam më shumë, lojtarët duan më shumë. Ne do të testojmë veten, për të ditur se kush jemi dhe ku jemi përballë këtyre tre skuadrave shumë të forta. Është një grup i vështirë, kjo është e qartë, por ne do të luajmë për gjithçka.

– E fillojmë nga sfida hapëse me Italinë…

– Lidhjet e mia me Italinë dhe Spanjën janë shumë të forta. Licencën e trajnerit e mora në Itali. Do të jetë diçka shumë e bukur të luaj kundër tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online