“Shqipëria është në nivel të lartë, ëndrra është një gol të nderojë familjen”! Xhakomo Vrioni tregon para Spanjës: Kam folur me Moratën

Në ditën e sotme para ndeshjes kundër Spanjës kanë dalë në konferencën për shtyp dy lojtarë të rinjë të Kombëtares. Bëhet fjalë për Xhakomo Vrionin që ka mundësinë për të treguar vlerat e tij me Shqipërinë pas sezonit të mirë te Tirol në Austri, por edhe Kristjan Asllani që ka fjalën e parë te Empoli. Fillimisht ishte Asllani që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:

“Unë Kombëtaren e shikoja vetëm në televizor dhe kur vi këtu, është kënaqësi shumë e madhe. Shpresoj të bëjmë mirë në këto dy ndeshje. Nuk e mendoja dhe nuk e besoja se do vinte ftesa nga Shqipëria A, por erdhi. Nuk na tremb Spanja, është shumë bukur të luash ndaj rivalëve të këtij niveli. Seria A është shumë e vështirë dhe kur vjen në Kombëtare pastaj bëhet disi më e lehtë, Shpresoj se do të na vijnë sa më shumë tifoza shqiptarë”, tha Asllani.

Ndërkohë më pas ishte radha për Xhakomo Vrionin që të fliste përpara ndeshjes me Spanjën. “Kur Kombëtarja të thërret është shumë e bukur, pasi përfaqëson popullin tënd dhe familjen tënde. Është kënaqësi e madhe gjithmonë. Shqipëria është në një nivel të lartë, kemi shumë lojtarë të mirë. Është shumë e bukur të jem pjesë e Kombëtares me këta futbollistë.

Ëndrra ime është që të gjej golin e parë me Kombëtaren dhe mund të bëj të lumtur gjithë familjen time. E ardhmja në klub? Nuk e di, është ende herët. Mbaj kontakte me disa lojtarë të Juventusit, sidomos me Moratën që do të luajmë të shtunën. I kam thënë vetëm që të më ruaj një fanellë pasi është djalë shumë i mirë, më ka ndihmuar te Juventusi dhe për mua është një nga sulmuesit më të mirë në botë”, përfundoi Vrioni. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *