Kombëtarja shqiptare U-17 nis sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore kundër Maqedonisë së Veriut që ka në program për të luajtur më 26 dhe 28 qershor, teksa të dyja sfidat do të luhen në stadiumin ‘Elbasan Arena’.
Trajneri i ri i kuqezinjve të kësaj grupmoshe, Ardi Behari ka ftuar 21 lojtarë për këto dy takime miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, me pjesën më të madhe të lojtarëve që kanë qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares U-17, por edhe ekipeve zinxhir të moshave. Ndër 21 lojtarët e grumbulluar, 10 prej tyre aktivizohen në kampionatet e huaja, me ekipe si Juventus e Empoli në Itali, Olympiacos e Panathinaikos në Greqi, Crystal Palace në Angli etj., ndërsa pjesa tjetër luajnë në kampionatin shqiptar.
Kuqezinjtë do të nisin nga sot përgatitjet për këto dy miqësore të rëndësishme, teksa fillimisht do të akomodohen në Pogradec, ndërsa më pas do të zhvendosen në Elbasan. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Takimi i parë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ishte planifikuar të luhej në Ohër, por dy federatat kanë dakordësuar vendimin që edhe takimi i parë të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e parë kundër bashkëmoshatarëve të Maqedonisë së Veriut, në stadiumin ‘Elbasan Arena’ duke nisur nga ora 18:00. Sakaq, takimi i dytë miqësor do të luhet dy ditë më vonë, më 28 qershor, në të njëjtin orar dhe në të njëjtin stadium.
Shqipëria U-17 ka zhvilluar edhe ndeshje të tjera miqësore gjatë këtij viti, ndërsa luajti edhe në ‘Elite Round’ e kualifikueseve të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Ndërkaq, këto miqësore janë të rëndësishme për stafin teknik të ekipit kombëtar U-17 dhe trajnerin Ardi Behari për të testuar grupin dhe për të kolauduar grupin në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.