Shqipëria e Armand Damës e nis mirë turneun e ri, fiton në ndeshjen e parë kundër Ishujve Faroe

Shqipëria U-15 e nisi në mënyrë të shkëlqyer turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë, pasi triumfoi ndaj Ishujve Faroe në sfidën hapëse me rezultatin 2-0. Një fitore mëse e merituar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Armand Dama, që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, e luajtur paraditen e kësaj të mërkure në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Kombëtarja shqiptare U-15 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Lucas Çekrezi, Matia Koçi, Milan Kovaçi, Kris Gecaj (C), Serxho Vogli, Endri Agolli, Leo Begolli, Alen Vukaj, Emiljano Mihana.

Kuqezinjtë e vegjël e tregojnë epërsinë që në minutat e para të takimit, teksa tentojnë portën kundërshtare me Darli Kurtin, i cili i gjendur brenda zonës, por bllokohet nga rivali i Ishujve Faroe, duke i mohuar Shqipërisë një gol të sigurt. Në minutën e 10-të, Kurti ‘korrigjon’ gabimin dhe asiston në golin e parë të kuqezinjve, me Endri Agollin, i cili dërgon topin në rrjetë me të majtën e tij potente.

Loja zhvillohet thuajse e gjitha në gjysmëfushën e Ishujve Faroe, me djemtë kuqezinj që janë dukshëm më superiorë dhe kontrollojnë lojën dhe sulmojnë portën kundërshtare disa herë. Në minutën e 20-të, autori i golit të parë, Endri Agolli i dhuron një top nga gjysmëfusha Alen Vukajt, i cili realizon një gol spektakolar nga jashtë zone, duke mundur portierin kundërshtare e duke i dhënë avantazhin e dyfishtë Shqipërisë. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 2-0 në favor të kuqezinjve. Fraksioni i dytë i ndeshjes nis me disa zëvendësime për Shqipërinë, me trajnerin Dama i cili hedh në fushë Xhoni Shegën, Elio Gjoshin e Arian Gavellin, teksa lënë lojën Darli Kurti, Kris Gecaj e Endri Agolli.

Në këto minuta të pjesës së dytë, kuqezinjtë kontrollojnë mirë topin, duke e zhvilluar lojën më shumë në gjysmëfushën kundërshtare e duke qenë më dominantë e duke krijuar disa raste për gol. Minuta ka edhe për Rayan Nezirin, Amer Kthupin, Armir Boriçin e Uesli Arapin Ndeshja mbyllet me rezultatin 2-0, teksa kjo ishte përballja e parë e turneut “UEFA Development U-15” për djem, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 2 nëntor deri më 7 nëntor.

Përveç Shqipërisë U-15 për djem në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Sllovakisë, San Marinos e Ishujve Faroe dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare. Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më datë 4 nëntor, me Shqipëri – Sllovaki që do të luhet në orën 10:30 dhe Ishujt Faroe– San Marino në orën 13:30. Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 7 nëntor, me Shqipëri – San Marino në orën 13:00 dhe Sllovaki– Ishujt Faroe në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *