Pas rezultatit pozitiv ndaj Republikës Çeke, Shqipëria do të luajë të dielën sfidën më të rëndësishme në kualifikueset për Kampionatin Europian 2024. Në “Air Albania” do të vijë Polonia dhe një fitore kundër tyre “hipotekon” në një farë mënyre kualifikimin e kuqezinjve. UEFA ka caktuar edhe arbitrin që do të drejtojë këtë duel.
Qeveria europiane e futbollit ka vlerësuar maksimalisht këtë përballje, teksa ka vendosur një arbitër të La Ligas si përgjegjës për të mbajtur drejtësinë. Hose Maria Sançez do të jetë gjyqtari kryesor i sfidës Shqipëri-Poloni. Kuqezinjtë duhet të bëjnë kujdes mbrëmjen e së dielës, pasi arbitri spanjoll njihet për nxjerrjen e shpeshtë të kartonave. Sançezi nuk i pëlqen aspak protestat e lojtarëve, prandaj do të ishte më mirë që futbollistët ta mbanin gojë mbyllur përgjatë 90 minutave./Halit Delibashi-Sport Ekspres/