Lorent Tolaj ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e Bristol City, duke debutuar si titullar në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit ndaj Walsall në kuadër të EFL Cup së Anglisë. Sulmuesi me origjinë shqiptare fitoi menjëherë besimin e trajnerit, i cili e hodhi në fushë nga minuta e parë, duke i dhënë mundësinë të udhëheqë repartin ofensiv të skuadrës.
24-vjeçari iu bashkua Bristol City gjatë kësaj vere nga Plymouth Argyle, pas një sezoni mbresëlënës ku spikati si një nga sulmuesit më efikas të League One. Paraqitjet e tij bindën drejtuesit e klubit të Championship-it të investonin për transferimin e tij, ndërsa Tolaj firmosi një kontratë katërvjeçare dhe mori fanellën me numrin 9.
Debutimi si titullar në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit është një sinjal i qartë se Tolaj pritet të ketë një rol të rëndësishëm në planet e Bristol City. Sulmuesi kishte lënë përshtypje të mira edhe gjatë fazës përgatitore, duke shënuar gola në miqësore dhe duke treguar formë të mirë para nisjes së sezonit.
Për futbollistin me origjinë shqiptare, ky është një tjetër hap i madh në karrierë, pasi pas eksperiencave me Aldershot Town, Port Vale dhe Plymouth Argyle, tashmë do të provojë veten në Championship me synimin për të konfirmuar cilësitë e tij. Tifozët e Bristol City presin që Tolaj të jetë një nga armët kryesore në sulm dhe të ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave të sezonit. /Sport Ekspres/