Shqipëri-Çeki, çfarë nuk u pa nga televizori, detaje dhe pikantet e mbrëmjes së historisë

Nga Ardi Fejzo

Sfida e së enjtes mbrëma ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares në vitet e fundit. Si e tillë, atmosfera ishte e zjarrtë dhe rrugët e kryeqytetit ishin të mbushura me tifozë që në orët e mesditës.

Siparin për këtë ndeshje siç e do edhe tradita e hapën të zotët e shtëpisë, Tifozat Kuq e Zi të cilët nisën marshimin e tyre nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit për të mbërritur në hyrje të stadiumit rreth orës 18:30. Sheshi përballë stadiumit gëlonte nga brohoritjet, këngët patriotike dhe atmosfera e ndezur kishte filluar të ndihej tashmë.

Në krahë të tifozëve gjithmonë e pranishme edhe Policia e cila si kurrë më parë ka kryer një kontroll të imtësishëm të cdo individi. Ky kontroll nuk kurseu as pjesën e medias, gazetarëve të akredituar për ndeshjen. Policia nuk merrte parasysh as “badge-t” lehtësisht të dallueshëm. Nga ky kontroll nuk mund të shpëtoja dot as unë që përvec të tjerash më duhej të dorëzoja edhe të gjitha monedhat metalike që ndodheshin në portofolin tim. Ishte hera e parë që ndodhtë diçka e tillë. Urdhëri ishte i prerë, asnjë flakadan në fushë. Përndryshe, pasojat do të ishin të mëdha deri në mbyllje të tribunave të stadiumit.

Kaosi që ndodhi me biletat për ndeshjen kundër çekëve ndihej edhe në sheshin para stadiumit. Shikoje fytyra të lumtura dhe të mërzitura. Të parët ishin ata që e kishin siguruar një biletë, të fundit ishin ata që kërkonin me dëshpërim një biletë në momentet e fundit. Pothuajse e pamundur për ta siguruar një të tillë. Stadiumi është shumë i vogël për të kënaqur të gjithë në kushtet në të cilat ndodhemi. Ndoshta ka ardhur koha për një stadium më të madh, i denjë të pres të gjithë shqiptarët nga të katër anët e globit.

Në stadium organizimi ishte model, një prej më të mirëve kohet e fundit, cdo gjë e rregullt dhe masat e sigurisë në nivele të larta. Tribuna e zgjeruar e medias ishte e tejmbushur. Përgjatë ndeshjes ajo u kthye njësoj si gjithë tribunat e tjera. Kurrësesi nuk mund të ishte një ditë normale pune. Brohoritjet dhe duartrokitjet nuk munguan për asnjë moment të vetëm.

Në pushimin e ndeshjes dritat e telefonave pushtuan stadiumin “Air Albania” për të pritur sic duhet këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza. Në minutat e pushimit midis pjesëve, performanca e saj drithëroi gjithë spektatorët e pranishëm. Tashmë refreni “mora fjalë” është kthyer në një himn të dytë për kombëtaren. Kënget e atdheut bëjnë që motivimi dhe forca të jenë në nivelet më të larta. Vetëm të mira i sjellin kombëtares.

Zëvendësimi i Taulant Seferit dhe takimi me trajnerin Sylvinjo ishte një tjetër moment emocionues. Përqafimi i tyre zgjat disa sekonda me radhë. Është koha e falenderimeve, është ndjesia e besimit, e punës, e sakrificës dhe e shpërblimit në të njëjtën kohë. Të dy e meritojnë. Për asnjë prej tyre nuk ka qënë e lehtë.

Tek pikantet e ndeshjes do të veçoja edhe praninë në stadium të Ballist Morinës, i mirënjohur nga gjithë shqiptarët për mbrëmjen e Beogradit, këtu e nëntë vite më parë. Është një simbol tashmë në tifozerinë kuq e zi. Në fund të ndeshjes përshëndetet me Asanin dhe së bashku shkëmbejnë fanellat. Asani atë të kombëtarës ndërsa Ballist Morina atë të “Authoctonus”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online