Shpiket teknologjia që “vret” ëndrrat për t’u bërë sportist profesionist

0

Jemi mësuar që në filmat e fantashkencës të ketë kompjutera, të cilët analizojnë trurin e një personi, duke u caktuar atyre punën që mund të bëjnë, në bazë të formulave të probabilitetit për kapacitetet e tyre mendore. Tani fantazia është kthyer në realitet! Studiuesit kanë krijuar një makineri, e cila skanon trurin e një personi, për të përcaktuar nëse ai është në gjendje që të realizojë detyra të caktuara.

Sipas një studimi të publikuar së fundmi në gazetën “Shkenca të Avancuara”, kërkuesit kanë përshkruar një makineri, e cila është në gjendje të mësojë të analizojë aktivitetin e trurit të 30 mjekëve, të cilët simulonin sikur po zhvillonin operacione.

Inteligjenca artificiale zbuloi se në mjekët më të aftë kishte nivele më të larta të aktivitetit në pjesën e trurit përgjegjëse për lëvizjet motorike, ndërsa te doktorët më pak  të aftë, aktiviteti i trurit lidhej me pjesën e përparme, e cila është përgjegjëse për planifikimin kompleks të situatave.

Si përfundim: mjekët më pak të talentuar, më tepër “mendonin” për atë që duhej të bënin, ndërsa më të mirët dhe ata me më tepër eksperiencë thjesht bënin detyrën për të cilën ishin caktuar. Shkencëtarët që shpikën makinerinë, thanë për “The Wall Street Journal”, se shpresojnë që t’a përmirësojnë sistemin, për të zbuluar jo vetëm aftësitë e mjekëve, por edhe të sportistëve, pilotëve apo të çdo profesioni tjetër.

Me fjalë të tjera, ajo që pritet është një rend i ri social, ku algoritmat e përpunuar nga një kompjuter përcaktojnë punën që një person duhet të bëjë, sepse aty është i aftë dhe jo të merret me diçka tjëtër të cilën e ka pasion, siç mund të jetë në rastin konkret sporti. Kjo pavarësisht faktit se për të qenë një sportist profesonist, patjetër që nevojitet talenti, por për të arritur nivele të larta duhet shumë punë, sakrificë, disiplinë dhe padyshim edhe eksperiencë, për të përballuar në mënyrën më të mirë situatat e ndryshme.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.