Nga Klaudio Ndreca
Pak Shpëtim për Pashk Laskën, pak Shpëtim për Laçin, por edhe për vetë…futbollin në Shqipëri. Tani Duro e ka kuptuar, për pak kohë kontrata e tij nuk lidhet vetëm me presidentin e kurbinasve, është kombëtare.
Në mesin e një kaosi total me shkarkimet dhe emërimet e pakuptueshme që ndodhin në momente kulminante në Superiore, është kaq e vështirë për të kuptuar trajnerin e mirë. Është kaq e vështirë të kuptosh se ku nis përgjegjésia e lojtarëve dhe ku mbaron ajo e trajnerit, për mos arritjen e objektivave. Ndërsa kur ka sukses, po të gjithë nxitojnë të presin tortën. As aty nuk kuptohet asgjë se realisht e kujt është merita.
Për këtë arsye Europa është kthyer në vitrinën më të mirë ku gjithëkujt i vendoset çmimi real, që i rri përshtat. Shpëtim Duro na ka lënë të kuptojmë se veshja e tij kushton shtrenjtë, jo pak.
Murit me kokë nuk mund t’i biesh, por mund të gjesh momentin ideal kur dera hapet për pak sekonda për të kaluar në dhomën tjetër. Këtë bëri Duro me Craiovan në sezonin e shkuar, një përbindësh ekonomik që u eliminua nga Laçi në dy takimet, megjithëse dukej se në çdo rast tjetër rumunët do ta shkatërronin ekipin shqiptar.
Për të kaluar me Anderlehtin e Vincent Kompany, gjigandët e Belgjikës. As aty nuk kishte përulje totale, përkundrazi, shumë krenari dhe dinjitet. Të mundesh është kaq normale në futboll, por të mundesh duke u larguar me kokën lartë, nuk ndodh shpesh.
Pas atij perfeksioni të prekur, vjen momenti për të rinisur një ëndërr që fati e la në gjysmë të rrugës në sezonin e shkuar. Nëse kampionët e Shqipërisë i humbasin të tre ndeshjet nga tre të mundshmet, dy herë me Dudelangen dhe një me Zrinjskin në shtëpi, nuk na lejohet kurrsesi që të shesim mend për të treguar të dobëtit dhe të fortit.
Nëse në 30 ditët e muajit jemi gjithmonë të vegjël para të tjerëve në përballje, duhet të qetësohemi pak në ditën e fundit kur jemi favoritët, për të mos ia bërë me gisht të tjerëve që janë po si ne. Nuk na shkon!
Një tjetër arritje e madhe ishte ajo ndeshje kundër Petrokub, me tifozët që kishin mbushur stadiumin jo pak. Kartoni i kuq që në minutën e 27 dhe kundërshtari që e kishte nisur me marsh të pestë duke marrë flakë nga mbështetja e publikut.
Kushdo ekip tjetër shqiptar do e kishte mbyllur aty, për të nisur lutjen që numërimi i golave të mos ishte i shumtë, të numëroheshin të paktën me njërën dorë. Laçi, jo vetëm që nuk pësoi, por ka arritur në atë pikë sa të bind dhe nuk të frikëson pavarësisht rrethanave të lojës.
Laçi ka arritur në pikën ku thua me vete: “Këta djemë nuk pësojnë gol, dinë se çfarë është sakrifica, e përjetojnë futbollin po si ne tifozët e thjeshtë që nuk kemi aq dijeni sa ta”. E sigurisht që në këtë pikë një meritë e madhe i takon Shpëtim Duros që di të manovrojë në çfarë do situate të mundshme. Të gjitha e kanë një çmim në treg, klasi nuk blihet. Të gjitha detajet kanë rëndësi, fundja qoftë edhe ulja e Duros në formën e tij gjatë zhvillimit të ndeshjeve tregon shumë përqendrim dhe padyshim, përjetim. /Sport Ekspres/