Tirana ka dhuruar një paraqitje fantastike në javën e tretë të “Abissnet Superiore”, duke mposhtur Vorën me rezultatin e thellë 4-0 në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë siguruan kështu fitoren e parë të sezonit, pas dy humbjeve radhazi ndaj Egnatias dhe Teutës.
Skuadra e drejtuar nga Dean Klafuriç e nisi takimin me ritëm të lartë dhe shumë shpejt gjeti golin e avantazhit. Në minutën e 14-të ishte Tomislav Kiš ai që zhbllokoi sfidën, duke i dhënë Tiranës qetësinë e nevojshme. Bardheblutë nuk u ndalën dhe në minutën e 36-të dyfishuan rezultatin me Redon Xhixhën.
Në pjesën e dytë, Tirana vijoi dominimin dhe vulosi përfundimisht suksesin. Drilon Hazrollaj shënoi golin e tretë në minutën e 51-të, ndërsa në fund të takimit realizoi edhe golin e tij të dytë personal, duke kompletuar “pokerin” e bardhebluve.
Ky triumf ka një rëndësi të veçantë për Klafuriç, pasi është fitorja e tij e parë në stolin e Tiranës. Me tre pikët e marra, bardheblutë ngjiten në kuotën e 3 pikëve dhe marrin frymë pas startit negativ të kampionatit. /Sport Ekspres/