Davide Frattesi ka folur për aventurën e tij të re te Lazio, duke shpjeguar arsyet që e bindën të largohej nga Interi dhe të nisë një kapitull të ri në karrierë. Mesfushori italian theksoi se vendimi për t’u transferuar te skuadra bardhekaltër ishte marrë me bindje të plotë.
“Kam dashur shumë të vij këtu te Lazio, sepse kërkoja një klub që të më përfshinte 100% në një projekt”, u shpreh Frattesi. Një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e tij ka pasur edhe trajneri Gennaro Gattuso, me të cilin kishte punuar më parë në Kombëtaren italiane. Sipas Frattesit, bisedat me teknikun e bindën edhe më shumë për zgjedhjen e tij.
I pyetur për të kaluarën te Interi dhe nëse transferimi te Lazio lidhet me dëshirën për hakmarrje, Frattesi ishte i qartë: “Nuk ka asnjë ndjenjë të tillë”. Ai pranoi se mund të ketë disa pengje, por kujtimet nga periudha zikaltër mbeten shumë pozitive.
“Te Interi përjetuam momente të jashtëzakonshme, të vështira për t’u përsëritur në një karrierë. Ndoshta ka pak peng, por nuk do t’i ndërroja kurrë ato emocione me tifozët”, tha ai. Tani Frattesi synon të japë maksimumin për Lazion, duke kërkuar sa më shumë paraqitje, gola dhe asistime. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/