Shoqata e Arbitrave zgjohet dhe kërkon të dënohet Shpëtim Duro!

Shoqata e Arbitrave me sa duket është zgjuar nga letargjia dhe vendos të flasë. Sot FSHF ka publikuar një reagim zyrtar të shoqatës në lidhje me një prononcim të trajnerit të Flamurtarit Shpëtim Duro, i cili foli sërish ashpër dje, në lidhje me gjyqtarët, duke nisur nga Juxhin Xhaja, i cili nuk pranohet me nga Flamurtari në ndeshjet e veta, ndërkohë që edhe Eldorjan Hamitaj ishte në shënjestër për arbitrimin në Kukës.

REAGIMI I SHOQATËS SË ARBITRAVE

“Është e disata herë, që trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro, përdor një gjuhë dhe fjalor ofendues në adresë të arbitrave dhe kjo sjellje, duhet të ishte pjesë e komisioneve përkatëse. Ne kemi shpresuar në një reflektim personal të z.Duro, por që nuk ka mbërritur, për më tepër është rënduar sulmi verbal i tij karshi arbitrave. Askush nuk mund ti japë të drejtë vetes të ofendojë një zyrtar ndeshjeje (në rastin konkret, arbitrave), edhe në rastet kur këto gabojnë në vendimarrjet e tyre në fushën e lojës. Është komisioni i vlerësimit, i cili bën vlerësimin e vendimeve të arbitrit, vendime të cilat në shumë raste edhe kur personi në fjalë i ka kontestuar, ato kanë qenë konform rregullores së lojës.

Shoqata e Arbitrave “BASHF” edhe një herë kërkon nga të gjithë aktorët e lojës së futbollit, që të ketë sa më shumë fair–play, jo vetëm në fushë ndërmjet lojtarëve, por, edhe nga zyrtarët e ekipeve. Ata duhet të tregojnë një sens mirëkuptimi, në adresë të vendimeve të arbitrave të cilët gjatë gjithë lojës mbajnë mbi vete tensionin e ndeshjes, presionin e lojtarëve, të spektatorëve dhe të gjithë atyre që ndjekin një ndeshje futbolli.

Për rastin në fjalë, shoqata kërkon me forcë nga komisionet përkatëse, të mbahet një qëndrim konform rregulloreve të disiplinës, sepse deklarata të tilla, prishin jo vetëm imazhin e figurës së arbitrit, por krijojnë nëpër shkallët e stadiumeve, një klimë jo miqësore e cila krijon premisa për situata të pa pëlqyeshme për një ndeshje futbolli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *