Nga Klaudio Ndreca
Josip Ilicic do të ndizej si kurrë më parë në këtë sezon të Serisë A dhe Champions League me Atalantën, duke ecur paralelisht me shkëlqimin e ekipit të Bergamos. Në 26 ndeshjet e zhvilluara me ekipin italian ka arritur që të shënojë 15 gola, duke qenë padyshim lojtari më i rëndësishëm për Gasperinin.
Të gjithë ishin me “zemrën e ngrirë” nga ana e tifozëve të Atalantës pasi u raportua se Ilicic vuante nga një dëmtim. E kur pritej rikthimi i tij në fushën e blertë, ka ardhur njoftimi që u konfirmua edhe nga Gasperini: “Nuk do të luaj ndaj PSG për disa arsye familjare. Ne jemi shumë afër tij në këto momente të vështira”.
Nëse mund të lihet një “finale e karrierës” si ajo ndaj PSG-së në Champions League, padyshim që bëhet fjalë për një problem të madh familjar. Fatmirësisht nuk ka asnjë raportim për ndonjë sëmundje apo ndërrim jete nga njerëzit e dashur të Ilicic.
Por burime të pakonfirmuara dhe që kanë marrë jehonë të madhe në rrjetet sociale flasin se lojtari i Atalantës ka rënë në depresion dhe po flitet edhe për mbylljen e parakohshme të karrierës. Po sipas këtyre burimeve, Ilicic ka shkuar në Slloveni pa e telefonuar gruan e tij, për t’i bërë një surprizë të bukur. Por në fakt surprizën e vërtetë do t’ia bënte kjo e fundit, pasi ishte duke e tradhëtuar me një tjetër person. E gjitha kjo e ka goditur sulmuesin e Atalantës dhe nuk mund të mendojë më për futboll në këto momente, pavarësisht se do të lërë fazën më kulminante të karrierës. /Sport Ekspres/