Shkruhet Skënderbeu-Partizani, lexohet Korça kundër Tiranës

0

Dikur ishte vetëm një ndeshje, sot është NDESHJA. Urrejtja mes palëve ka arritur pikat maksimale. Gjithçka nisi me një… titull

Distanca mes Tiranës dhe Korçës është vetëm 167 km, por urrejtja është duke udhëtuar me një shpejtësi supersonike, aq sa ka ngritur një pluhur që ndoshta të duket sikur ka infektuar të gjithë për të thënë diçka… Fitili ishte ndezur me kohë, por tashmë duket se ka shpërthyer edhe “dinamiti” i vendosur. Shkruhet Skënderbeu-Partizani, por lexohet Korça-Tirana. Këtu nuk flitet më për futboll, por për një ballafaqim mes dy qytetesh. Në fakt, mes një qyteti me traditë, kulturë dhe zakone, dhe metropolit, ose ndryshe epiqendrës së Shqipërisë. Dhe, ironikisht, skuadra që mban emrin e heroit kombëtar (Skënderbeu), pikërisht statujën e këtij të fundit e ka vetëm 2 km larg atij që dikur ka qenë stadiumi “Qemal Stafa”, aty ku përballjet mes dy skuadrave konsumoheshin. Në atë kohë, urrejtja ishte me doza të vogla. Në atë kohë, nuk “ekzistonte” termi CAS, termi trukime, apo termat “komunistët”, “diktatura” e kështu me radhë. Në atë kohë, politika nuk kishte futur hundët në futboll, në atë kohë sistemi, edhe pse i kalbur nga brenda, paraqiste sërish një shëndet të plotë. Sot nuk është kështu dhe ata që do të përpiqen të thonë të kundërtën, atëherë ndoshta nuk jetojnë në këtë vend. Sepse, protesta masive e zhvilluar në Korçë ditë më parë për të mbrojtur nderin e një qyteti që jeton edhe me futbollin, ishte dëshmia se ndaj Partizanit nuk do të jetë një sfidë mes dy ekipesh. Jo, kjo sfidë është mes dy qytetesh dhe, për fat të keq, me përfshirjen e ideologjive, në rastin e tifozëve të Skënderbeut.

Sa u përket tifozerive, dikur ishin miq… Po, po… Dikur ndoshta konsumonin edhe një birrë bashkë dhe e shoqëronin me kërnacka. Por, gjithçka ndryshoi më vonë, duke u shpallur armiq mes tyre dhe duke nisur një sërë ofendimesh në distancë, nga rrjetet sociale por sidomos në stadiume. Dhe, që të arrish të bësh tifozerinë korçare të prishi gojën, atëherë mund të themi që zjarri që është ndezur vështirë do të fiket. Për tifozët e Skënderbeut dhe Korçën, drejtuesit e Partizanit dhe tifozeria e tyre janë fajtorët dhe ata që kanë ngritur një “Piramidë” akuzash për trukime ndeshjesh e kështu me radhë dhe, në rast të një tjetër dënimi, pas atij të përpara dy sezonesh, rrezikohet që situata të marrë edhe më shumë tatëpjetën…

Mollët e sherrit – Një titull, ai i sezonit 2016, ende pezull, bëri që mes dy klubeve, por edhe qyteteve, të vinte ngrica e madhe dhe të kalohej në një situatë aspak të lehtë… Jo vetëm, por dënimi i Skënderbeut, por edhe vendi në Champions i marrë nga të kuqtë verën 2016, pa harruar këtu pankartat në stadiumin e Korçës nga tifozët e Partizanit “Match fixed” e kështu me radhë. Kësaj i shtohen edhe ngacmimet e vazhdueshme të deputetit tifoz të kuq, Erjon Braçe, në drejtim të Skënderbeut dhe të Federatës, duke ushtruar presion për dënimin e korçarëve.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.