Donjet Shkodra ka marre numrin 10 te Kukësi dhe mund të thuhet se aventura si kuksian ka shkuar mjaft mirë. Mesfushori ka folur për mediat për eksperiencën e re që ka nisur te Kukësi. Në të njëjtën kohë flet dhe për Skënderbeun, duke mos lënë jashtë vëmendje dhe një arsye se pse nuk shkoi ashtu siç pritej pjesa e parë e sezonit në Korçë: “Përgatitjet kanë shkuar mirë, jam përshtatur me grupin dhe ndjehem i lumtur. Skënderbeu është ekip i mirë, gjithashtu edhe Kukësi. Në futboll gjërat nuk shkojnë gjithmonë si dëshiron, ndoshta mungon përshtatja me trajnerin dhe këto janë gjëra normale. Por tani të shohim përpara me Kukësin”.
Shkodra është një nga prurjet e janarit, por Kukësin e ka ndjekur dhe gjatë 16 javëve të para, ndaj mund të bëjë dhe një koment për atë çfarë ka ndryshuar te kampionët: “Jemi një grup më kompakt dhe luajmë më shumë futboll sesa në pjesën e parë të edicionit”.
Edhe pse në Korçë nuk gjeti hapësira, te Kukësi konsiderohet si një nga lojtarët që mund të bëjë diferencën. Në këtë pikë dhe mesfushori i lindur në Prishtinë shpreson që të arrijë formën e tij më të mirë: “Një futbollist e bëjnë të mirë ndeshjet. Kam luajtur pak në kohët e fundit dhe jam munduar të mbaj lart anën psikologjike. Ndeshjet më bëjnë mirë dhe shpresoj të arrij formën time më të mirë”.