Vllaznia e femrave arriti mes dramës që të kualifikohet për në turin e dytë të Champions League pasi ka eliminuar kampionen e Turqisë, ALG Spor. Një tjetër sukses ky për ekipin shkodran që edhe në sezonin e shkuar ka bërë historinë për të krenuar Shqipërinë.
Por si lindi futbolli i femrave në vendin tonë? Armand Duka ka treguar në “Opinion” se “djepi” ishte edhe këtë herë qyteti i Shkodrës, pasi ideja ka lindur nga disa persona që ishin pjesë e këtij qyteti, duke kërkuar zhvillimin e këtij sporti. Për të vazhduar edhe me prioritetin e dhënë nga ana e FSHF-së, që i ka vendosur si kusht edhe skuadrave të Superiores për të ndërtuar njëkohësisht edhe ekipin e tyre femrave.
“Në mënyrë të organizuar kampionati i parë është organizuar në 2008, atje ku u fitua nga Tirana që fitoi edhe Kupën e Shqipërisë atë vit. Si filluan ekipet e para? Ka qenë si një nismë e disa personave, kryesisht nga Shkodra dhe pastaj nga Tirana. Pastaj edhe mbështetja financiare nga FSHF që ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Në këtë kampionat të ri FSHF ka marrë vendimin që të dhjetëfishojë investimin në futbollin e femrave. Ajo që ne na pëlqen është që të kemi sa më shumë vajza që luajnë futboll. Por nga ana tjetër ne nuk jemi keq as me rezultate. Vllaznia ka shkuar në 32 ekipet më të mira të Europës vjet ndërsa edhe këtë herë ka mundur kampionen e Turqisë”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/