Trajneri i Vllaznisë ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes që do të zhvillojnë shkodranët kundër AEL Limasol. Ndeshja e parë përfundoi në shifrat 1-0 për qipriotët, ndërsa këtë herë kërkohet përmbysja siç ndodhi edhe me Siroki Brijeg. Brdariç është shprehur i lumtur për mbërritjen deri në këtë fazë dhe shprehet se Shkodra duhet të ndihet krenare për përfaqësimin e saj.
“Është sfidë shumë e bukur për ne. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë fazë. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej. Kam zbuluar disa hapësira për përmirësim. E kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, në mënyrë që të fitojmë”, tha Brdaric.
Gjithashtu tifozët përgatiten edhe për shkëlqimin e lojtarit kualitativ që ka lënë gjurmë në elitën e futbollit tonë, Liridon Latifi. “Është një lojtar që më pëlqen shumë. Përmirësimi që ka bërë javët e fundit por edhe aftësitë që ai ka, do na çojnë në një nivel tjetër si ekip. Ai ka ardhur këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar ekipin me aftësitë e tij. Është një lojtar që vërtetë e kam qejf. Nesër do e fillojë si titullar, nesër ka mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij”, u shpreh Brdaric. /Sport Ekspres/