Shkëndija e Tetovës është mundur sot në shtëpi nga skuadra e Pobedës në sfidën e parë të raundit të dytë të Kupës së Maqedonisë. Tetovarët u mposhtën nga goli i Makotas, i cili realizoi pa u mbushur 20 minuta lojë. Kualifikimi është në diskutim, kjo pasi humbja erdhi në shtëpinë e të besuarve të Qatip Osmanit.
Skuadra kuqezi krijoi jo pak raste, por nuk mundi që të finalizonte, duke marrë një rezultat negativ në këtë sfidë. Tani i duhet një punë jo e vogël në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në fillimin e muajit të ardhshëm.
Shkëndija mori në fundjavë kreun e klasifikimit dhe shihet si një favorite për të marrë titullin. Gjithsesi, tetovarët kanë objektiv dhe Kupën, duke qenë se janë ata mbajtësit në fuqi të këtij trofeu.