Shkëndija e Tetovës sot do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj, por mund të bëhet më e rëndësishmja nëse sot do të arrihet një fitore 2-0 në stadiumin “Filpi II” në Shkup. Një fitore me dy gola ndaj Rosenborgut do i jepte kuqezinjve një kualifikim historik në fazën e grupeve të Europa League, çka është dhe ëndrra e madhe e tetovarëve.
Në ndeshjen e parë Shkëndija u mund 3-1, por paraqitja në pjesën e dytë u jep besim shqiptarëve që kuqezinjtë mund të arrijnë sonte një përmbysje të madhe. Një formacion sulmues do të hedhë në fushë tekniku Osmani, i cili edhe në konferencën për shtyp ka deklaruar se beson tek një fitore sonte.
Në atmosferën elektrizuese që do të krijojë tifogrupi “Ballistët”, Shkëndija pritet që të ndizet “flakë” në një nga ndeshjet që mund të shkruajë historinë dhe që mund të bëjë krenar të gjithë shqiptarë, pasi aktualisht ekipi tetovar është e vetmja skuadër shqiptare që luan në arenën ndërkombëtare.
FORMACIONET ZYRTARE
Shkëndija: Zahov, Bejtullai, Alimi, Musliu, Ibraimi, Totre, Murati, Zhunjor, Emini, Mici, Nafiu. Trajner: Qatip Osmani. Të gatshëm: Redjepi, Selmani, Shefiti, Bojku, Taipi, Çeshmedijev, Adili.
Rosenborg: Hansen, Hedenstad,Moling, Reginiusen, Jensen, Konradsen, Bendner, Hovland, Levi, Lundemo, Jeball. Trajner: Mariunus Kolen.