Shkëndija është gati për debutimin në kualifikueset e Champions, pjesëmarrja e dytë e tetovarëve në histori në këtë turne. Përpara sfidës me Nju Seint, që do të luhet këtë të martë në Shkup, në orën 20:15, trajneri Qatip Osmani shprehu besim, pas ecurisë së kuqezinjve në ndeshjet testuese.
“Rezultatet që kemi bërë gjaë fazës përgatitore na japin shpresë se Shkëndija është e gatshme për këtë ndeshje. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë, përballë një kundërshtari që luan rregullisht në Europë dhe ka përvojë në ndeshje të tilla. Është gabim ta mendojmë veten favoritë, sepse në short ishim në vazon e ekipeve jo-favorite. Do të dalim në fushë për të dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv që do të jetë edhe fitorja. Nuk duhet të pësojmë gol dhe të mundohemi të fitojmë me rezultat sa më të thellë”, deklaroi trajneri Osmani.
Kapiteni i tetovarëve, Armend Alimi tha: ““Mendoj se na pret ndeshje e vështirë, por ne kemi zhvilluar fazë përgatitore shumë cilësore në Slloveni. Mendoj se me ndeshjet që kemi zhvilluar në Slloveni kemi arritur formën maksimale dhe jemi të motivuar të hyjmë sa më mirë në këtë ndeshje. Duam fitore pa gol të pranuar”.
Shkëndija kthehet të luajë në Champions për herë të parë prej vitit 2011, periudhë kur u ndesh me Partizanin e Beogradit. Kalimi i turit të parë ndaj Nju Seints është një detyrim për kuqezinjtë, edhe prej ecurisë së tetovarëve që në dy edicionet e fundit të Europa League kanë luajtur deri në fazën “play-off”.