Në mëngjesin e sotëm është përfolur për një kalim të mundshëm të ish-trajnerit të Shqipërisë, Kristian Panuçi, te ekipi i Shkëndijës së Tetovës. Një skuadër që është krenari e gjallë për shqiptarët falë sukseseve të mëdha në vitet e fundit, megjithëse në sezonin e shkuar nuk bëri garën e pritshme në Europë.
Kjo solli edhe shkarkimin e trjanerit Qatip Osmani, pasi nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e drejtuesve dhe tifozëve. Një media në Maqedoni hodhi hipotezën se Shkëndija kishte kontaktuar me Panuçin, por ky i fundit po priste mbylljen e çështjes me Arisin.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me zyrën për shtyp të Shkëndijës, atje ku vjen i njëjti mesazh publik që dërgohet në të gjitha mediat e interesuara: “Shkëndija nuk komenton spekulimet dhe thashethemet në media dhe opinion, pasi për gjithçka zyrtare klubi ruan standardin ta komunikon në kohë reale përmes kanaleve të KF Shkëndija”.
Por e njëjta përgjigje është dhënë edhe për “Gazeta Lajm”, në kohën kur këta të fundit janë interesuar përpara disa kohësh teksa në skenë do të dilte emri i Mirel Josës dhe Ilir Dajës për të marrë drejtimin e Shkëndijës. “KF Shkëndija asnjëherë nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë spekulimet e mediave dhe opinionit. Gjithçka që është zyrtare publikohet në kohë reale në ëeb faqen e klubit”, ky do të ishte reagimi saktësisht për dy emrat e trajnerëve të sipërpërmendur.
Pra në një rast të tillë, mund të thuhet se Panuçi ka gjasa të jetë trajneri i ri i Shkëndijës, po aqsa Ilir Daja dhe Mirel Josa, duke parë se kemi të njëjtin reagim identik. Por nga ana tjetër, thelbësore është fakti se klubi shqiptar po punon në heshtje në lidhje me teknikun e ri që do të marrë dhe nuk zbulon asgjë më tepër rreth detajeve më konkrete. /Sport Ekspres/