Tetova në festë, Shkëndija është super. Kampionati maqedonas ka nisur me supersfidën Shkëndija-Vardar, mbyllur 2-0 për kuqezinjtë tetovarë.
Është vetëm java e parë, ndaj duhet frenuar euforia, por dita e mirë duket që në mëngjes dhe Shkëndija nuk është rastësisht në play-off kundër Milanit në Europa League.
Shkëndija e re nuk ndryshon shumë nga ajo e sezonit të shkuar në emra, por po shfaqet e frikshme me Qatip Osmanin në drejtim. Lojë, gola, fitore dhe ritëm, fitore e merituar ndaj rivalit të vetëm në Maqedoni.
Golat erdhën në pjesën e dytë: fillimisht Armend Alimi shënoi një supergol në minutën e 60-të, ndërsa 6 minuta më pas Stenio Zhunior realizoi edhe golin e dytë, falë një asisti të bukur nga ana e Ferhan Hasanit.
Fitore e merituar e Shkëndijës, që në këtë mënyrë po konfirmon se ky mund të jetë viti i titullit.