Tre miqësore gjatë fazës përgatitore në Slloveni dhe asnjë humbje. Ky është bilanci i shkëlqyer i Shkëndijës së Tetovës, që në testin e fundit fitoi 3-1 përballë Vorskla Poltavës, ekipit të Premierligës ukrainase.
Kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë të lojës në avantazh, pas golit të Izair Eminit, ndërsa dominimi i skuadrës së drejtuar nga Qatip Osmani vijoi edhe në 45 minutat e dyta, ku realizuan edhe Murati e Zejnullai. Me këtë paraqitje, Shkëndija konfirmoi se ka një skuadër mjaft cilësore dhe që gëzon formë të jashtëzakonshme.
Gjatë fazës përgatitore në Rogashka Sllatina, tetovarët kishin barazuar 1-1 në testin e parë përballë sllovenëve të Domzhales, ndërsa vetëm pak ditë më parë fituan 3-1 miqësoren ndaj ekipit të mirënjohur kroat, Osijek, ku militon edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Eros Grezda.
Ndeshja me Vorsklan vulosi edhe mbylljen e përgatitjeve të skuadrës në Slloveni, me Shkëndijën që do të kthehet në shtëpi, pasi më 10 korrik në Shkup do të luajë ndeshjen e parë në Champions League kundër uellsianëve të Nju Seints. Rezultatet pozitive kanë shërbyer shumë për moralin, por i kanë dhënë edhe një mesazh të qartë rivalëve.