Shkëlqeu te Laçi, por edhe atë e zë “mallkimi”

U ka ndodhur shumë lojtarëve, që pasi largohen nga skuadra kurbinase, nuk japin atë që të gjithë presin. Me fanellën bardhezi arrijnë të bëjnë mirë dhe të kthehen në lojtarët më të dëshiruar në merkato, por më pas “fiken”. Sigurisht që në Laç nuk i mallkojnë kur largohen, por të paktë kanë qenë ata që kanë shfaqur atë nivel që kanë pasur në ekipin kurbinas.

Këtë “sëmundje” e ka vuajtur edhe Emanuel Mensah. Ganezi u mor vjet në janar nga Laçi. Sulmuesi ganez la Zemplin Miçalovce dhe provoi Kategorinë Superiore. Një lojtar me cilësi shumë të mira teknike dhe shumë shpejt emri i tij nisi të lakohej si objektiv i disa klubeve në vend.

Shënoi katër gola, por ai që i realizoi Tiranës do të mbahet mend gjatë nga tifozët kurbinas. Por si i ka shkuar sezoni i fundit ganezit? Në verë nënshkroi me Atromitos dhe luajti në 7 ndeshje si zëvendësues, duke akumuluar 104 minuta në fushën e blertë. Në shkurt kaloi te Kërkyra, tjetër klub i Superligës greke. Aty edhe më keq, 41 minuta në tre ndeshje. Sigurisht asnjë gol i shënuar dhe tanimë vlera e tij në treg sigurisht që ka rënë. “Mallkimi” e ka zënë edhe atë…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *