Tashmë është praktikisht e mbyllur: Matia Perin është portieri i ri i Juventusit. Transferimi nga Xhenoa te kampionët e Italisë ishte në ajër prej ditësh, por mungonin vetëm disa detaje të fundit.
Mbrëmë Italia u ndesh me Holandën në Torino dhe Perin luajti 90 minuta, duke bërë figurë të shkëlqyer, çka duhet të ketë shuar përfundimisht çdo dyshim të drejtuesve të Juventusit.
Sot Perin ka lënë hotelin torinez ku qëndronte kombëtarja dhe ka shkuar për të kryer vizitat mjekësore në J Medical, klinika e Juventusit.
Xhenoa do të marrë rreth 15 milionë euro për atë që mund të bëhet pasuesi i Bufonit, edhe pse rivaliteti për vendin në portën bardhezi është i madh, me polakun Shçesni që konsiderohet titullar për momentin.