Franc Veliu do të jetë kapiteni i skuadrës, ndërsa Bushiç do të mbajë shiritin kur vlonjate do të mungojë. Administratorin e shqetëson infrastruktura
Elton Nika
Nuk ka ende asgjë zyrtare, por shiriti i kapitenit ka qenë një debat i gjerë gjatë gjithë kësaj vere në skuadrën vlonjate. Pas largimit të Bruno Telushit, i cili zgjodhi të vijonte karrierën e tij në Kroaci, çështja e shiritit të kapitenit u përfol jo pak. Duke pasur në konsideratë faktin se mbrojtësi Franc Veliu e ka mbajtur dhe ka qenë kapiten i Flamurtarit, mësohet se do të jetë mbrojtësi me shumë mundësi kapiteni i skuadrës për këtë sezon futbollistik. Gjithsesi, rreth këtij fakti ka pasur jo pak debate, ku ish-lojtarë të Flamurtarit, por edhe shumë sportdashës nuk e diskutojnë që shiriti i takon pikërisht Veliut. Megjithatë, nga ana tjetër ka pasur edhe kundërshtime, ndërkohë drejtuesit e skuadrës nuk kanë ndërhyrë duke e lënë në dorë të skuadrës. Në ndeshjen e fundit miqësore në Greqi, shiritin e mbajti Bushiç, edhe për shkak të dëmtimit të Veliut. Vlonjati pritet të mungojnë minimalisht për dy ndeshjet e para të sezonit, çka do të thotë se në Korçë do të jetë sulmuesi Bushiç, futbollisti që do të mbajë shiritin e kapitenit te Flamurtari. Burime nga klubi vlonjat kanë saktësuar se një ide mbetet edhe ajo e Pollozhanit, për vetë eksperiencën dhe moshën e tij, por asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht. Nga ajo çfarë ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, Bushiç pritet të jetë kapiteni i Flamurtarit, por deri në rikthimin e mbrojtësit Franc Veliu, teksa me rikuperimin e tij shiriti do të kalojë pikërisht në krahun e vlonjatit. Duket se tashëm dilemat rreth shiritit të kapitenit te vlonjatët kanë marrë fund, ndërsa Veliu do të jetë kapiten dhe Bushiç zëvendëskapiten.
STADIUMI – Shqetëson infrastruktura e stadiumit Flamurtari. Edhe pse investimet nga administratori Sinan Idrizi dhe dy kompanitë turke kanë qenë prezente gjatë këtyre viteve, duke i dhënë një pamje bashkëkohore pjesës ballore të stadiumit, por edhe ambienteve të brendshme, duke përfshirë edhe dhomat e zhveshjes, shqetësim mbetet ambienti jashtë stadiumit dhe kryesisht në tribunën C. Shqetësimi përcillet nga vetë administratori Idrizi, ndërsa një pjesë e tribunës C rrezikon deri edhe të bjerë, ndaj për këtë qëllim është ndërhyrë gjatë këtyre ditëve. Problematike mbetet situata jashtë stadiumit, që sipas Idrizit është kthyer në një kosh mbeturinash, ndërsa vetë kreu i klubit i vlonjat ka saktësuar se stadiumi rrezikon licencimin nga UEFFA nëse vlonjatët kualifikohen në Europë. Duke ju referuar situatës, Idrizi ka konfirmuar se në gjendjen aktuale Flamurtari nuk mund të luajë thuajse asnjë ndeshje në Vlorë, ndërsa kërkohen ndërhyrje emergjente në një stadium, që ka mjaft probleme aktualisht.
Bushiç, kapiteni i dytë i huaj te Flamurtari
Në sezonin 2008-2009, shiriti është mbajtur nga një tjetër kroat dhe konkretisht mbrojtësi Paniç, në një sezon ku vlonjatët fituan Kupën e Shqipërisë, pas një finale të luajtur në Durrës me Tiranën, që përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve. Tashmë do të jetë sërish kroat kapiteni i dytë i huaj te vlonjatët dhe pikërisht Bushiç, pavarësisht se vetëm për disa ndeshje.