Shqipëria ka arritur që të fitojë në transfertën e djeshme ndaj Gjeorgjisë. Kjo përballje ishte si një finale për kuqezinjtë tanë që në rast se do të humbisnin apo barazonin, do të dilnin nga gara për të marrë vendin e parë. Tashmë jemi aty dhe nëse fitojmë dy takimet e fundit në shtëpi, me shumë gjasa do të jemi ne që do të kryesojmë në Ligën B. Një fitore që ka rritur jo vetëm entuziazmin, por edhe numrin e biletave të shitura.
Menjëherë pas fitores së djeshme, tifozë të shumtë kanë prerë biletat dhe kanë konfirmuar prezencën e tyre në Air Albania. Me Cekinë kemi ende një hesap për të mbyllur dhe deri tani janë 17.000 bileta të shitura për ndeshjen e 16 nëntorit. Nga ana tjetër, një interes i madh është edhe për ndeshjen me Ukrainën që me shumë gjasa do të vendos fatin e grupit. 13 mijë bileta janë shitur edhe për ndeshjen e dytë të nëntorit dhe të fundit të grupit, që do të luhet në 19 nëntor. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/