I vetmi gol shqiptar në Europë League mbrëmë mban firmën e Muzafer Ejupit, por sulmuesi i Osijekut nuk luan për asnjë Kombëtare. Ai shënoi në humbjen e skuadrës kroate ndaj Austrisë së Vjenës në shtypit, ndërkohë që titullar së bashku me të ishte mesfushori i Kombëtares, Eros Grezda. Mesfushori nuk e mbylli gjithë ndeshjen, duke u zëvendësuar në minutën e 73-të.
Vetëm Ergys Kaçe e ndoqi ndeshjen nga stoli, duke parë PAOK-un të fitojë ndaj Osterunds me rezultatin 3-1.
Titullar me Legian e Varshavës ishte sulmuesi Armando Sadiku, që nuk shënoi dot gol ndaj Sherifit të Tiraspolit, që në Champions eliminoi Kukësin, ndërsa më pas Agolli me Karabakun e tij e “transferuan” në Europa League. Sulmuesi nga Elbasani luajti vetëm 56 minuta, duke pasur shumë pak shanse dhe duke u ndihmuar shumë pak nga skuadra. Edhe mediat polake ishin kritike me të, pasi humbi rast të mirë në fillim dhe gaboi shumë pasime.
Minuta të plota mori mbrojtësi nga Kavaja, Hysen Memolla, i cili ka një të shkuar në Itali te Verona dhe pritet të jetë në fokusin e trajneri Panuçi për Kombëtaren. Mbrojtësi i majtë kishte goxha punë në sfidën e djeshme me Evertonin dhe doli i mposhtur. Gjithashtu u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Fitore për Salzburgun, që kishte për 90 minuta në fushë Valon Berishën, kapiten skuadre. 1-3 me Vitorulin dhe grupet e Europa League shumë pranë.