Shënon Dejvi Bregu, Luftëtari fiton edhe miqësoren e dytë

Sezonin e kaluar ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Luftëtarit dhe Dejvi Bregu kërkon që ta mbajë këtë status edhe në aventurën historike të bluzinjve në Europa League. Ylli i rikthyer në huazim nga Skënderbeu, ishte autori i njërit prej dy golave, me të cilët gjirokastritët fituan 2-1 edhe në miqësoren e dytë me sllovenët e NK Aluminij.

Luftëtari kaloi në avantazhin e dy golave prej pjesës së parë të ndeshjes, fillimisht pas rrjetës së Olti Rapas, ndërsa pas tij Bregu dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Kostiç pësoi, megjithatë arriti ta mbronte fitoren deri në fund. I pranishëm në këtë test ishte edhe presidenti Grigor Tavo, i cili i’u bashkua ekipit në Slloveni.

Ky është suksesi i dytë i bluzinjve gjatë fazës përgatitore, pas fitores së parë të regjistruar përballë maqedonasve të Rabotniçkit, me rezultatin 3-1. Miqësoret e radhës janë ato të 2 korrikut ndaj rumunëve të Voluntarit dhe më datë 4 korrik ndaj sllovenëve të Kërskos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *