Mosha është thjesht një numër për Lionel Mesin. Megjithëse 37 vjeç, 7 herë fituesi i Topit të Artë ka treguar se është ende në gjendje të marrë ekipin për dore dhe ta udhëheqë drejt fitores. Mesi ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 2 asiste në fitoren 6-0 kundër Bolivisë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, ylli argjentinas ka thënë se po e shijon këtë periudhë në karrierën e tij. Ai është shprehur se ndihet si fëmijë kur luan për Kombëtaren e tij, si dhe ka paralajmëruar se këto mund të jenë ndeshjet e tij të fundit në karrierë.
“Po e shijoj të qenurit i lumtur këtu ku jam. Kjo më shtyn përpara. Pavarësisht moshës, kur jam këtu (në Kombëtare) ndihem si një fëmijë, sepse ndihem shumë rehat me këtë ekip. Për sa kohë që do të ndihem mirë dhe do të vazhdoj të performoj në mënyrën që dua, do të vazhdoj ta shijoj këtë. Më nxit shumë fakti që ndjej dashurinë e njerëzve që bërtasin emrin tim, sepse këto mund të jenë ndëshjet e mia të fundit”, ka deklaruar Lionel Mesi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/