Shën Valentin “i gëzuar”, na fundos thellë Rusia

Thyhen të gjitha rekordet e disfatave të basketbollit të femrave në vend, ndërsa kemi marrë një humbje me 113 pikë diferencë në Perm

Gjergj Vyshka

Shën Valentin i gëzuar për basketbollin e femrave të Shqipërisë, ndërsa dje pasdite na ka fundosur thellë Rusia. 35-148 rezultati përfundimtar, ndërsa janë thyer të gjitha limitet e rekordeve negative, teksa jemi mundur me 113 pikë diferencë. Krejtësisht e turpshme, e papranueshme, ndërsa ndeshja e djeshme e ka zhytur nivelin e basketbollit të femrave në vend disa metra thellë nën tokë. Që do të mundeshim nga Rusia kjo nuk kishte dyshime, sepse sinjalet ishin dhënë që në Tiranë, teksa na kishte telendisur me 85 pikë diferencë. Aq më tepër që po luanin përballë një superfuqie të basketbollit evropian dhe botëror. Por që të shkosh deri atje e të mos bësh asgjë kjo është e papranueshme. Shkurt, kombëtarja e basketbollit të vajzave u kthye në një grup lojtaresh dhe një trajner, që Federatën Shqiptare të Basketbollit e shndërroi në agjenci turistike për një udhëtim falas për Shën Valentin në Rusi.

Sepse, burime të mirinformuara, tregojnë se është bërë një luftë e madhe për këtë rrugë në Rusi – është e njëjta gjë si në edicionin e kaluar, kur të gjitha luftonin për të shkuar në Britaninë e Madhe – e cila vlen shumë, sidomos kur bëhet fjalë për festa të tilla si Shën Valentini. E vërteta është që shqiptarët me xhepat e tyre financiarisht nuk e arrijnë dot një rrugë Rusie, me apo pa sebep festash. Dhe më pas produkti që zbret në fushë është një zero e madhe. Është për të vënë kujën, ndërsa Rusia nuk ishte se do të tregonte Fair-Play sportiv ndaj nesh. Përkundrazi e ktheu në festë ndeshjen, të cilin e nisi me shfaqje artistike e më pas u argëtua duke bërë kosha pa fund ndaj Shqipërisë.

Ne nuk është se e kemi për herë të parë këto lloj humbjesh kur jemi mundur 33-127 nga Estonia, 38-121 nga Itali, 36-122 nga Britania e Madhe apo dhe 37-122 nga Rusia dhe 48-137 nga Hungaria. Por mënyra se si luajmë, të dorëzuar që pa hyrë në parket, na bën më shumë se sa inferior. Kombëtarja është ankuar se ka qenë e traumatizuar nga ndeshja me Lituaninë dhe ka shkuar pa fizioterapist. Pa llogaritur që ka bërë 12 orë udhëtim me tre avion deri nw Rusi. Njw mwnyrw e tillw ndodh dhe me meshkujt. Por dhe sikur të ishte ndryshe, Rusia nuk do të na e kishte kursyer “drurin”. Ndaj kjo humbje ka nevojë për analizë, sepse nëse lihet në heshtje nuk i bën mirë askujt. Në të kundërt le ta marrim basketbollin e femrave e ta fusin në kasafortë për ca kohë e ta nisin organizimin nga e para.

Rusi – Shqipëri 148-35

(39-11, 33-12, 40-10, 36-2)

Rusia: Musina (17), Beliakova (3), Vadeva (24), Beglova (9), Maiga (6)/Zavialova (2), Ogun (10), Levshenko (14), Vieru (10), Tikonenko (13), Leshkovtseva (22), Petrushina (18) Trajner: O.Lange

Shqipëria: Myrto (7), Zykaj (3), Xhanaj (11), E.Bujari (3), Aliaj (6)/Gjoni, Toska, Berranija, Sinani, Fekollari, Palko, G.Bujari (5) Trajner: V.Toska

Gjyqtarë: K.Anderson (Finlandë), P.Ivashkov (Bjellorusi), Z.Zubak (Sllovaki)

Ndeshja

Rusia e ka nisur fort ndeshjen, ndërsa është shkëputur në 8-0 për ta mbyllur periodën e parë në 39-11. Asnjë reagim në të dytën, teksa ruset fitojnë 33-12 dhe në pushim kanë kryesuar 72-23. E treta nuk ka asnjë ndryshim. 40-10 për Rusinë dhe rezultati thellohet në 112-33. E fundit është vetëm për të parë kundërshtarin se si i shënon pikët. Sepse Rusia realizon 36 pikë, kurse ne vetëm dy dhe në fund 148-35. Kjo ishte paraqitja më e turpshme e kombëtares së femrave, ndërsa mund të duket shumë ekstremiste, por më e mira do të ishte të mos ishim fare në fushë. Një humbje 20-0 në “tavolinë” është kapak floriri përballë këtij poshtërimi nga Rusia për Shën Valentin, ndonëse ia vlejti si udhëtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online