Laçi mori një kualifikim të merituar ndaj një skuadre që ka një buxhet disa herë më të madh. Të besuarit e Besnik Prengës bënë një ndeshje të madhe në shtëpi, duke i dhënë leksion jo vetëm skuadrës së Anorthosis, por dhe gjithë futbollit shqiptar. Skuadra e Laçit është e ndërtuar me një buxhet normal, më të vogël se të gjitha skuadrat që pretendojnë titullin, ndërsa në anën tjetër në përbërje ka lojtarë të rinj, të cilët janë formuar në skuadra të ndryshme të moshave të ekipeve të tjera.
Bardhezinjtë sot arritën një kualifikim, i cili rrit edhe imazhin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare pasi do të kemi të paktën dy skuadra që na përfaqësojnë. Bardhezinjtë morën atë çka deshën në shtëpi dhe nuk mund të thuhet se vodhën asgjë edhe pse shënuan në sekondat e fundit të kohës së rregullt.
Laçi shembullor në shumë drejtime nderon veten dhe të gjithë duke treguar se me punë arrihen dhe gjëra që shumëkush mund t’i mendonte të paarritshme. Nuk duhet harruar Anorthosis është një skuadër me shumë emër dhe që në të shkuarën ka qenë dhe pjesë e grupeve të Championsit.