Shehi ndërton “bunkerin”, ky Skënderbe nuk pëson!

Skepticizmi dhe mosbesimi ekziston te çdo njeri… Sidomos kur dikush merr një përgjegjësi, një detyrë të rëndësishme, por aq edhe të guximshme.

Dhe, këtu bëhet fjalë për një detyrë krejt të re, një eksperiencë krejt ndryshe nga ajo që ai ka kaluar dikur. Nga fusha në stol, nga protagonist në portë në protagonist në një bankinë.

Kur presidenti i Skënderbeut, Takaj, prezantoi Orges Shehin si trajnerin e Skënderbeut, për të provuar ringritjen dhe për të provuar që të ndërtonte një filozofi të re dhe ndoshta edhe duke “shkelur” mbi atë të vjetrën, e dinte se çfarë po bënte.

Vitet në kombëtare dhe puna me Xhani de Biazin e Paolo Tramexanin ishin një shkollë e shkëlqyer për Shehin, që mbajti shënim në një “fletore imagjinare”, të cilën ka nisur ta shfletojë tani.

Sigurisht, jemi në miqësoret e verës, por provat të çojnë në një konkluzion, duke shpresuar që të mos jetë i nxituar. Ky Skënderbe nuk pëson gola. E thonë gjashtë miqësoret e zhvilluara, e thonë rezultatet dhe loja.

Në thuajse asnjë ndeshje, Skënderbeu nuk është vënë në vështirësi seriozisht. Sepse, për Shehin, rëndësi ka të mos pësosh, më pas të shënosh. Kështu, nga ndeshja me Maliqin te ajo e fundit ndaj Besës, porta ka mbetur e paprekur.

Dhe, për një ish-portier, kjo është fitorja më e madhe. Asnjë humbje, dy barazime dhe katër fitore. 11 gola të shënuar nga korçarët, edhe pse në mes një miqësore me Skënderbeun U-19.

Miqësoret e Skënderbeut

SKËNDERBEU – MALIQI 2-0

SKËNDERBEU – TEUTA 0-0

SKËNDERBEU – RENOVA 0-0

SKËNDERBEU- SKËNDERBEU U 19 5 – 0

SKËNDERBEU – TREPÇA 1-0

SKËNDERBEU – BESA 3-0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *