Kapiteni i korçarëve pranon se një fitore e mundshme e afron ekipin e tij me titullin, por thekson se asnjë nuk përfundon këtu
Leonard Trebicka
Skënderbeu ka një rast të mirë që t’i japë një goditje të fortë rivalit të tij kryesor në garën për titullin kampion. Kukësin e ka mundur në fazën e parë në fushën e tij, ndërsa nesër e pret në Korçë dhe nëse e mposht sërish, e çon diferencën e pikëve në 9, që do të thotë se ka siguri më të madhe për titullin. Portieri dhe kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, në një intervistë për “Sport Ekspres” flet me shumë maturi për këtë ndeshje, duke theksuar se ekipi i tij thjesht duhet të bëjë lojën e vet, pa pasur asnjë lloj presioni për fitoren. Sipas tij, nëse skuadra paraqitet së në ndeshjen e parë në Kukës, trepikëshi do të vijë vetë. Ai thjesht kërkon nga shokët që të jenë të përqendruar deri në çastet e fundit të ndeshjes.
– Shehi, një sfidë e vështirë ju pret këtë javë me Kukësin?
– Do të thosha, një sfidë si gjithë të tjerat, pavarësisht se Kukësi është një ekip i fortë. Kampionati ka treguar deri tani se nuk ka ekipe të lehta dhe të gjitha ndeshjet janë të vështira. E rëndësishme është të rikthehemi te fitorja, pasi në kampionat vijmë nga tre barazime dhe mbetet objektivi kryesor që të marrim 3 pikët për të ruajtur ecurinë pozitive dhe për të menaxhuar titullin.
– E ndjeni presionin e fitores?
– Jo, nuk ka presion. As termi fitore me detyrim nuk më pëlqen. Futbolli është i tillë, që po nuk pate përqendrimin maksimal në një ndeshje gjatë gjithë 90-minutëshit, po nuk u paraqite në lartësinë e duhur, nuk mund të marrësh atë që do. Është një ndeshje, ku do të kërkojmë rikthimin te fitorja dhe të vazhdojmë rrugën tonë.
– Kukësi është rivali kryesor për titullin…
– Besoj se nga pikët dhe nga kontingjenti, është rivali më i fortë. Ndodhet vetëm 6 pikë larg nesh dhe kështu i bie. Por që kampionati ka treguar se ka edhe ekipe të tjera me pretendime, që janë po kaq të fortë dhe janë rrezik konstant për ne, gjithmonë nëse nuk jemi të përqendruar në maksimum.
– Nëse Skënderbeu fiton, diferenca shkon në 9 pikë. Kjo do të thotë se titulli “mbyllet”?
– Është shumë shpejt për të folur për titullin dhe për sigurinë e fitimit të tij. Kampionati është në fillim akoma mund të them, sapo ka nisur faza e dytë dhe nuk është mbyllur gjysma e parë e kampionatit, që është shumë i gjatë. Një distancë prej 9 pikësh dhe 2 ndeshje të fituara ndaj një rivali direkt, do të jenë një siguri më shumë, por vetëm kaq.
– Pas impenjimeve të shumta, tashmë jeni të çlodhur disi?
– Kjo tani nuk ka shumë rëndësi për ne, pasi si të thuash jemi mësuar me këtë lloj ngarkese dhe nuk është se përbën problem të madh. Ne kemi 4 muaj që punojmë me këtë intensitet dhe them se jemi gati për të përballuar çdo sfidë, qoftë edhe kjo me Kukësin të shtunën.
– Si ju duket ekipi, pas tre barazimesh radhazi në kampionat?
– Nuk ka asgjë negative, situata është mjaft e mirë, shumë pozitive dhe jemi të gjithë të karikuar për të bërë mirën në çdo ndeshje që do të kemi përpara.
– Kukësin e keni mundur në fushën e vetë. A do të jetë më e thjeshtë për ju në Korçë?
– Nuk është ky niveli i gjykimit në futboll, pasi ndeshjet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, madje edhe nga mënyra e interpretimit. Në Kukës kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe bashkë me Partizanin dhe Jang Bojsin ishin ndeshjet më të mira të zhvilluara nga ne. Shpresojmë të luajmë sërish një takim të atij niveli.
– Skënderbeu kampion dimri?
– Deri në fund të dhjetorit janë ende edhe tri javë dhe duam që t’i marrim një e nga një. Duhet të përqendrohemi te Kukësi fillimisht, pasi me të luajmë të shtunën, më pas te dy ndeshjet e tjera. T’i marrim me radhë dhe jemi “ok”.
– Në Europë, sfida e fundit me Jang Bojsin vlen sa për statistikë?
– Është një sfidë, ku do të shkojmë të bëjmë një paraqitje të denjë për një ekip, që e ka treguar forcën e vet në grup. Pavarësisht se kualifikimi është mbyllur, do të mundohemi të japim maksimumin edhe në këtë takim, pse jo të marrim edhe pikët maksimale.