Shehi 300 ndeshje si korçar, ujku që s’duhet të tërhiqet!

Duhet ta mendojë edhe një herë mirë tërheqjen nga futbolli i luajtur portieri 40-vjeçar i Skënderbeut, Orges Shehi, i cili dje ndaj Mladas luajti ndeshjen e 300-të në karrierë për Skënderbeun. Ai ka pranuar se do të tërhiqet pas aventurës europiane, por me atë që tregoi dje, do të jetë vërtet një mëkat. Durrsaku ishte në një formë të shkëlqyer, duke shmangur 2-3 gola të sigurt, sidomos në fillimin e ndeshjes.

Ishte meritë e tij që korçarët mbetën në lojë, pasi “gardiani” veteran zgjidhi disa situata të vështira, kur sulmuesit e Mladës u shfaqën përballë tij në zonë. Shehi ka treguar edhe një herë se me formën që gëzon, pavarësisht viteve që kalojnë, mund të luajë edhe një sezon me fanellën kuqebardhë.

Vendimtar në ndeshjen e djeshme, më i miri për Skënderbeun, ndërkohë që në ndeshjen e kthimit do të ketë një detyrë edhe më të vështirë, sepse korçarët nuk duhet të pësojnë në asnjë mënyrë. Skënderbeu ka kohë që mendon për Koliçin si pasues, por ky i fundit po has probleme të mëdha me Kukësin, ndaj nuk është çudi që Shehi të ndërrojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *