Sheh titullarët t’i largohen një e nga një, Kukësi me reagim zyrtar: Po bëhet punë për titullin, Musolli nuk respektoi kontratën

Merkatoja në dalje e Kukësit ka qenë suprizuese këtë verë, teksa nga dita në ditë sheh titullarët t’i largohen një e nga një. Et’hemi, Musolli, Obanor, Musta, Gavazaj, Rroca, Shkurtaj, Abazaj, Telushi janë lojtarët që i kanë dhënë lamtumirën verilindorëve, duke bërë që të krijohet frikë për pretendimet e Kukësit për të synuar titullin kampion. Megjithatë, drejtuesit e klubit duket se nuk shqetësohen aspak nga largimet e fundit, duke ardhur me një reagim zyrtar në faqen e tyre.

Kukësi thekson se gjithçka është menduar mirë për sa i përket merkatos dhe se çdo futbollist është zëvendësuar me afrime cilësore. “Një punë e madhe po bëher për të rikthyer titullin kampion”, janë fjalët që klubi zgjedh për të qetësuar tifozët dhe për të treguar edhe objektivin e sezonit të ardhshëm.

Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe për Besar Musollin. Kapiteni që ka dhënë kontributin e tij për 8 vite me radhë për fanellën blu, i cili u largua drejt Kosovës, ku e priste Gjilani. Një lamtumirë pa asnjë falenderim nga ana e Kukësit, që tashmë pretendon se lojtari nuk ka respektuar kontratën, por e ka prishur atë në mënyrë të njëanshme dhe pa diskutuar më parë me klubin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Reagimi i klubit të Kukësit:

Klubi i Kukësit ju bën me dije se merkatoja e skuadrës është menduar mirë nga stafi dhe nuk ka vend as për panik dhe as për frikë. Të gjithë futbollistët e larguar deri më tani, janë larguar me mirëkuptimin e klubit dhe janë zëvendësuar me futbollistë të tjerë, cilësorë dhe me kualitet. Besar Musolli dhe Valon Et’hemi janë futbollistët e vetëm që nuk kanë respektuar kontratën duke e prishur në mënyrë të njëanshme, pa diskutuar me klubin.

Të gjithë futbollistët e afruar në këtë merkato vere, janë studiuar mirë nga stafi para se të afrohen dhe klubi kërkon vetëm durim nga tifozët dhe opinioni. Ju sigurojmë se shumë shpejt do të shihni ekipin e ri, më të fortë dhe më kualitativ seç ishte! Puna po bëhet e madhe për të rikthyer titullin kampion në Kukës dhe me punë e besim, do t’ia dalim ta rikthejmë. Forca Kukësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *