Barcelona kërkon patjetër një sulmues të nivelit të lartë këtë verë, me Antuan Grizman që është synimi madhor. Nuk do të jetë e lehtë, pasi Atletiko nuk i shet lirë yjet e vet dhe francezi nuk do të dalë hapur kundër klubit që e ka kthyer në një prej sulmuesve më të mirë në botë.
Për këtë arsye, Barcelona po sheh alternativat dhe sot gazeta spanjolle AS hedh “bombën”, duke shkruar se ndërmjetës të besuar të Mohamed Salah kanë nisur bisedimet me Barcelonën për transferimin e yllit egjiptian në Camp Nou.
Natyrisht, është një lajm që duhet marrë me pak mosbesim, sepse edhe nëse do të ishte e vërtetë, askush nuk do të zbulonte sekretin për mediat, duke rrezikuar që Salah të bëhet armik me Liverpulin.
Klubi anglez po blen Nabil Fekir nga Lioni dhe duket si një masë paraprake për të zëvendësuar Salah, por nga ana tjetër është e qartë që Liverpuli nuk e ka luksin të shesë yllin e madh të sezonit të fundit në Premier Ligë, shpresën e vetme për të mbyllur hendekun me Mançester Sitin, që e mbylli sezoni më një diferencë të frikshme nga rivalët në Premier Ligë. Edhe nëse Liverpuli vihet nën presion nga Salah, është e qartë që tashmë çmimi i tij do të shkojë mbi 150 milionë euro dhe zor se Barcelona do të ndërmarrë aventura të tilla, pas shpenzimeve kolosale për Kutinjon dhe Dembelenë.