Ish-trajneri i Kukësit: Doja të shkoja deri në fund me verilindorët, por vendosi presidenti. Skënderbeu ka më shumë stabilitet
Jurgen Zela
Si lojtar ka shkëlqyer, ka shënuar edh një supergol përballë Anglisë direkt nga goditja e këndit, ndërsa si trajner në Superiore ishte vetëm një ndeshje larg titullit. Artim Shaqiri, i ndodhur në Shqipëri këtë fundjavë për të ndjekur përfaqësuesen e 17-vjeçarëve, nuk ka ngurruar që të japë një intervistë për “Sport Ekspres”. Ish-tekniku i Kukësit flet për kampionët, të cilët i ka ndjekur gjatë fazës përgatitore, por dhe në kampionat. Shaqiri beson se Ky Kukës mund të bëjë akoma më shumë edhe pse paralajmëron se mbrojtja e titullit rezervon një rrugë më të vështirë sesa arritja e tij. Skënderbeu? Është një tjetër nivel.
Shaqiri, pas largimit nga drejtimi i Kukësit, i keni ndjekur më verilindorët, si ju duket skuadra e këtij edicioni?
I kam ndjekur të gjitha ndeshjet që ka zhvilluar Kukësi në Ohër. Është një ekip i ri, që ndryshoi shumë. Është më e vështirë kur ndryshon ekipin dhe ke objektiv për të mbrojtur titullin.
Besonin se mund ta përsërisë të njëjtin sukses si vjet?
Kukësi ka potencial, por kur bëhen shumë ndryshime, bëhet e vështirë derisa ekipi të konsolidohet dhe trajneri të përcjellë filozofinë e tij. Ndryshon stili i lojës, lojtarët pak njihen me njëri-tjetrin, besoj se do të përmirësohet akoma më shumë.
Mund të themi se ndryshimet e shpeshta përbëjnë gabimin më të madh të Kukësit?
Ndryshimet e shumta, jo vetëm te Kukësi, por kudo që bëhen, janë një problem, pasi nuk mund të kërkosh rezultate të mëdha që në fillim, si të mbrosh titullin. Është problem kudo nëse ndodh. Më saktë tregon Skënderbeu që nuk ka pasur shumë ndryshime, ndaj dhe ka dominuar. Ka mbajtur grupin, ka bërë një ose dy largime dhe ka bërë afrime cilësore. Rezultatet flasin vetë.
Edhe pse me statusin e kampionit, Kukësi është në ndjekje të Skënderbeut në këtë fillim edicioni, ju prisnit më shumë?
Kisha pritur më tepër këtë sezon prej Kukësit, së paku me atë që kam parë gjatë fazës përgatitore. E thashë që është më e vështirë që ta mbash titullin sesa të jesh në ndjekje të tij. Besoj se në fazën e ardhshme Kukësi do të përmirësohet akoma më shumë dhe të arrijë rezultatet që priten, pasi dhe lojtarët do e njohin më mirë lojën e njëri-tjetrit.
Rikthehemi pak te “epoka” juaj, ju vjen keq që nuk e drejtuat në finalen e Kupës dhe kupat e Europës?
Është normale që çdo trajner kërkon që kampionatin që ta çojë deri në fund, por gjëra të tilla ndodhin. Presidenti është ai që vendos, si te Kukësi, si kudo. Unë ekipin e gjeta kur erdha te Kukësi dhe e mirëmbajta, arritëm të shkonim deri në një ndeshje direkte dhe në finalen e Kupës. Presidenti e mori atë vendim dhe unë nuk kisha çfarë të bëja, e pranova atë vendim siç është, pasi ai është presidenti, ai vendos.
Kukësi është kampion, por Skënderbeu ka një ecuri shumë të mirë në Europë, si e shihni në krahasim me skuadrat e tjera?
Skënderbeu e mban skuadrën për një kohë të gjatë, nuk bën shumë ndryshime dhe kjo është përparësia e tij. Po ashtu dhe fryma në ekip është pozitive, është një punë e palodhshme dhe me kalimin e kohës vijnë dhe rezultatet. Skënderbeu ka treguar kualitetet e tij se mund të jetë një skuadër që mund të luajë dhe në kampionate akoma dhe më të forta se ai shqiptar apo maqedonas. Nuk ka dyshime për kualitetin dhe lojën që zhvillon te forca që ka skuadra. Djemtë japin maksimumin në fushë, për atë që dhe lojtarët paguhen. I uroj shumë suksese dhe në vazhdimësi.