Zvicra feston në Ligën e Kombeve, duke fituar Grupin 2 në Ligën A. Një sukses i shkëlqyer dhe tepër emocionues i helvetëve, i arritur falë fitores me përmbysje 5-2 përballë Belgjikës. Heronjtë e ndeshjes për skuadrën e kapitenit Granit Xhaka, ishin padyshim Xherdan Shaqiri me dy asist, por mbi të gjithë Haris Seferoviç me tre gola të shënuar.
E pabesueshme ajo që ndodhi në fushë, me skuadrën e Petkoviç që duhej të fitonte me dy gola diferencë, por në harkun e 17-të minutave të para e pa veten në disavantazh të dyfishtë. Torgan Hazard, vëllai i vogël i kapitenit Eden Hazard, realizoi dy herë, duke bërë që “Djajtë e Kuq” të festonin përpara kohe. Belgët menduan se u kualifikuan, duke lëshuar në lojë dhe u ndëshkuan nga reagimi me zemër dhe krenari i Zvicrës.
Helvetët përmbysen rezultatin prej pjesës së parë, me golin e Rodriguez me penallti në të 26-ën dhe dy golat e Haris Seferoviç në harkun e 13-të minutave, ku në rastin e barazimit të përkohëshëm 2-2, pasimi i fundit për sulmuesin u shërbye nga Shaqiri.
Në minutën e 62-të, ylli nga Gjilani shërbeu një tjetër top goli, këtë herë për mbrojtësin Niko Elvedi, që realizoi golin e katërt të zviceranëve dhe shleu gabimin në golin e parë, që i dhuroi Hazardit të vogël, shokut të ekipit te G’ladbahu. Goli i pestë nga Seferoviç në minutat e fundit të lojës, i treti personal për sulmuesin, vulosi triumfin e jashtëzakonshëm të helvetëve, që u ndihmuan edhe nga fati, me Eden Hazard, i cili u frenua nga traversa.
Me fitoren e arritur, Zvicra u ngjit në kuotën e 9 pikëve, aq sa edhe Belgjika, por fitoi grupin dhe siguron një biletë për në fazën “Final Four”, ku ekipet më të mira të Ligës A do të luftojnë për trofeun, falë diferencës së golave në ndeshjet direkte. Ndërkohë, Islanda e kishte prerë me kohë biletën, duke zbritur në Ligën B.